10:00 / E Hënë, 04 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Realit nuk i mjaftojnë paratë për Icardin

Interi mund të shijojë i vetëm kreun e renditjes së Seria A, të paktën deri në mbrëmjen e së shtunës, kur do të luajë ndeshjen e madhe kundër Juventusit, e cila do të thotë diçka më shumë për progresin e kampionatit.

Pas fitores së të dielës kundër Chievos, Piero Ausilio foli në “Domenica Sportiva”, duke thënë disa fjalë për kapitenin e skuadrës.

“Sulmuesi ynë ka një kontratë të gjatë, por ajo që ka rëndësi edhe më shumë është vullneti i tij për të qenë këtu. Unë mendoj se do të qëndrojë me këto ngjyra. Klauzola nuk është një problem për Real Madridin. Perez mund t’i ketë paratë për klauzolën e Icardi, por para së gjithash duhet të bindë Icardin që të lërë Interin dhe këtë projekt…”

Së fundi, mendja e drejtorit sportiv të zikaltërve është nga ndeshja e radhës kundër Juventusit: “Ne nuk jemi të frikësuar, por kemi respekt të madh për ekipin më të mirë në Itali. Kjo sfidë është e bukur në vetvete, sepse arrin në një kohë të caktuar, duke pasur parasysh renditjen e tanishme. Por ne jemi në dhjetor dhe nuk mund të jetë një ndeshje vendimtare për titullin”.