20:30 / E Hënë, 14 Janar 2019 / indeksADMonline

Reçaku, fshati që e vizitoi vdekja dhe e harroi drejtësia

Dy dekada nga dita kur vdekja e vizitoi fshatin e vogël të Reçakut në Shtime, të mbijetuarit e masakrës kujtojnë tmerrin që kanë përjetuar dhe presin drejtësinë që të veprojë. Masakra që ringjalli përpjekjet e diplomacisë ndërkombëtare për t’i dhënë fund katastrofës humanitare në Kosovë, nga historianët shihet si pikë kthese në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Bilall Avdiu hedh hapat ngadalë në borë, dhe ndalet e merr frymë thellë. Dy dekada më parë ishte një ditë e ngjashme, e ftohtë kur vdekja erdhi në Reçak.

Buzët i dridhen teksa përpiqet të ndërtojë rrëfimin për ditën kur forcat serbe hynë në fshat dhe vranë 45 banorë.

Është pikërisht para vendit ku ai, dy dekada më parë u nxor nga një ahur bagëtish bashkë me 30 fqinj të tjerë për ta parë vdekjen me sy.

Vdekje e cila e braktisi në rrethana të pabesueshme.

Ahuri prej nga ai e kishte bërë rrugëtimin drejt vdekjes nuk ekziston më, por era e rëndë brenda tij dhe muret e ftohta janë ende në kujtimet e plakut 72 vjeçar.

“Unë dhe disa shumica e fqinjëve ishim mbledhur këtu. Ishim mbi 30 burra. Na nxorën në oborr, na shtrinë në tokë  dhe filluan të na godasin. I dëgjuam tek flisnin në radiolidhje duke thënë: Ku t’i vrasim këto apo në kodër?”, rrëfen Bilalli për KALLXO.com pasditen e 15 janarit në Reçak.