13:40 / E Hënë, 05 Mars 2018 / indeksADMonline

Reçica: Do t’i përkrahim çdo herë me krenari shtresat e dala nga lufta

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka thënë se dikasteri që ai drejton asnjëherë nuk do të ndalet që tu dalë në krah shtresave të dala nga lufta e UÇK-së, pasi që ata janë krenaria jonë dhe janë detyrimi ynë.

Këto komente Reçica i ka dhënë në një status të postuar në llogarinë e tij në facebook në kujtim të Epopesë së UÇK-së.

“Si çdo 5 Mars, e si kushdo nga ne, pushon orën e kujtesës në tablonë e epizmit të Jasharajve, në epopenë e tyre, e cila me shkronjat e Flijimit e Lavdisë thuri lirinë për ne e brezat, për kombin e atdheun. Lavdi Jasharajve të mëdhenj”, ka shkruar ministri Reçica.

Ai ka thënë se lufta na dha dhimbjen e madhe, na dha krenari pa fund, na dha lirinë e përhershme, mësimin për të.

“Në nderim e detyrim ndaj dalzotësve të kombit e atdheut, ne si Dikaster i Punës dhe Mirëqenies Sociale, asnjëherë nuk do të ndalemi që t’u dalim në krah shtresave të dala nga lufta. Ata janë krenaria jonë, ata janë detyrimi ynë”, ka thënë kreu i MPMS-së.

Ministri Reçica që nga marrja e mandatit në krye të MPMS-së është angazhuar në përmirësimin e kushteve për veteranët e luftës dhe shtresat tjera të dala nga lufta, transmeton Indeksonline.

“Nderim të përjetshëm dhe kujdes në pafundësi për veteranët, e gjithë shtresat e dala nga lufta”, ka shkruar ai./Indeksonline/