19:30 / E Diele, 19 Maj 2024 / AR

Reperi reagon për videon e dhunës ndaj ish-partneres

Sean “Diddy” Combs ka reaguar për herë të parë pas videos së publikuar nga CNN ku shfaqet duke dhunuar rëndë ish-të dashurën, Cassie Ventura.

“Për mua është shumë e vështirë të reflektoj në një prej periudhave më të errëta të jetës. Por duhet ta bëj. Ishta shumë rëndë asokohe. Dua të them se kisha prekur fundin, por nuk dua të justifikohem. Sjellja ime në atë video është e pafalshme. Marr përgjegjësi të plotë për veprimet e mia në atë video”, shprehet reperi.

Më tej ai vazhdon duke deklaruar se ka ndjerë neveri.

“Jam i neveritur ndihesha ashtu atëherë, ndihem njësoj edhe tani. Kam kërkuar ndihmë profesionale. Kam nisur terapinë, shkova edhe në rehabilitim, sepse duhej t’i kërkoja Zotit të më falte, më duhej mëshirë”, e mbyll fjalën Diddy, duke theksuar se po mundohet çdo ditë të bëhet njeri më i mirë.

Ai nuk e përmendi në asnjë moment emrin e Ventura-s në video dhe nuk i kërkoi asaj falje, por shkroi: “Më vjen vërtet keq”.

Kujtojmë se pak ditë më parë video, e cila daton në 2016-ën, u bë publike dhe mediat e njerëzit janë shprehur tejet të keqardhur nga niveli i dhimbjes dhe situata e rëndë e paraqitur në filmime.

Kjo është hera e parë që Diddy reagon për çështje të tilla, edhe pse akuzat e ngritura ndaj tij nga Cassey dhe të tjerë persona janë akoma në investigim. Diddy akuzohet për dhunë, abuzim seksual dhe psikologjik dhe trafikim.