16:29 / E Enjte, 03 Nëntor 2022 / shkelqim osmanaj

Respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës

Shkruan: Jeffrey M. Hovenier, ambasador i ShBA-së në Kosovë

Gjatë forumit të Grave, Paqes dhe Sigurisë të mbajtur në Prishtinë para disa javësh, iu bashkova duartrokitjeve të qindra pjesëmarrësve kur presidentja Osmani i dekoroi gratë e Ukrainës me Medaljen Presidenciale të Meritave. Të gjithë u prekëm nga fjalët e deputetes së Parlamentit të Ukrainës, Yevgenia Kravchuk, e cila e pranoi këtë medalje në emër të tyre. Z-nja Kravchuk rrëfeu se si sulmi brutal, i pajustifikueshëm i presidentit Putin ka prekur – dhe vazhdon të prekë – jetët e të gjithëve në Ukrainë. Ajo i përshkroi sulmet e tmerrshme ajrore në qytetet paqësore të Ukrainës dhe se si fëmijët ukrainas po rriten në kohë lufte – në vend se të shkojnë në shkollë, ata zgjodhën për të shkuar në strehimore nga bombardimet. Në fakt, z-nja Kravchuk vuri në pah se në çastin kur po fliste para nesh në Prishtinë, vajza e saj ishte në strehimore për tu mbrojtur nga sulmet ajrore.

Pushtimi i Rusisë dhe agresioni i vazhdueshëm ka shkaktuar pasoja të tmerrshme te aq shumë njerëz. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë sovranitetin e Ukrainës në Kombet e Bashkuara dhe të ofrojmë mbështetje për popullin e Ukrainës përderisa Rusia po bën gjithçka në fuqinë e saj për ta minuar atë sovranitet: dëbime të detyruara dhe operacione „filtrimi”, vrasjen pa gjyq të civilëve, kërcënime të vazhdueshme ndaj jetëve dhe mjeteve të jetesës, dhe instalim të satelitëve rusë. Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët dhe partnerët tanë për të imponuar kosto Rusisë.

Shtetet e Bashkuara mirëpritën dënimin e shpejtë të Kosovës të pushtimit të paprovokuar dhe të pabazë të Kremlinit dhe shprehjen e solidaritetit të plotë me popullin e Ukrainës. Kosova i hapi dyert për ukrainasit që gjetën strehim këtu, përfshirë gazetaret ukrainase që tani banojnë në Kosovë, shumë prej të cilave ishin në skenë për të pranuar medaljen nga presidentja Osmani. Këto gazetare vazhdojnë që me trimëri të bëjnë të mundur që njerëzit anembanë botës kanë qasje në informata të besueshme dhe të sakta për atë që po ndodh në Ukrainë.