15:03 / E Martë, 24 Korrik 2018 / indeksADMonline

Revitalizohet pika kufitare në Morinë e financuar nga BE-ja

Sot në Morinë u hap pikë kalimi kufitar i revitalizuar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ky projekt është financuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Përfaqësuesja e BE-së në Shqipëri Romana Vlahutin me këtë rast tha se kjo infrastrukturë moderne do të ndihmojë në kalimin më të lehtë të kufirit.

“Nga përvoja ime personale, e di se të gjithë kanë planifikimin e tyre teknik për të shmangur uljen në makinë për orë të tëra. Shpresoj që kjo infrastrukturë moderne me dymbëdhjetë korsi do të ndihmojë në kalimin shumë më të lehtë të kufirit, por do të shtojë edhe sigurinë tonë të përbashkët për të mirën e qytetarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe të gjithë miqve tuaj”, tha ajo.

Edhe shefja e BE-së në Kosovë Natalya Apostolova tha se ngjarja e sotme ka rëndësi të madhe pasi kjo pikë kufitare shtrihet në një zonë të rëndësishme rajonale.

“Jam shumë e lumtur që jemi mbledhur këtu sot në kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë për të shënuar renovimin e pikës kufitare që Bashkimi Evropian ka mbështetur. Në një periudhë të shkurtër kohore prej vetëm disa muaj, kjo është ngjarja e tretë që po marr pjesë për promovimin e aktiviteteve të BE-së, të cilat i ndihmojnë autoritetet e Kosovës që të kontrollojnë dhe menaxhojnë kufijtë më mire”, tha Apostolova.

Në përurimin e kësaj pike të financuar nga BE-ja morën pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj dhe zëvendëskryeministrja e Shqipërisë Senida Mesi.

Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë tha se ky projekt nuk u mundësua vetëm nga kontributi i vlerës financiare nga BE, por edhe nga dëshira e menaxhimi i delegacioneve të të dyja vendeve.

“Me dy lajme për vendet tona, shumë të mira, nga njëra anë liberalizimi i vizave për Republikën e Kosovës, nga ana tjetër një lajm i mirë për një datë tashmë fikse qershorin e 2019-ës, për fillimin e procesit për integrimin e Shqipërisë në Evropë, janë detyrime të dy vendeve për të rritur dhe përmirësuar standardet jo vetëm në mirëqeverisjen e vendeve tona por edhe në bashkëpunimin reciprok për rritjen e kontrollit dhe migrimin”, tha Mesi.

Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj tha se kjo është një ditë e veçantë për Kosovën e Shqipërinë. Ai gjithashtu falënderoi policinë kufitare e doganierët e të dyja vendeve për punën profesionale që e kanë bërë.

“Ne jemi sot këtu jo vetëm që ta përurojmë këtë pikë të përbashkët doganore e kufitare, por mbi të gjitha ta falënderojmë BE-në, ambasadoren Vlahutin në Tiranë, e cila ka qenë forcë lëvizëse që kjo të ndodh dhe dua t’i them faleminderit shumë për mbështetjen e punën brilante. Sikurse dua ta falenderoj ambasadoren Apostolova e cila para dy muajsh na mundësoi neve e fqinjëve tanë në Maqedoni që ta ndërtojmë një pikë kufitare të përbashkët”, tha Hoxhaj.

Projekti prej 1 milion e 450 mijë euro ofron infrastrukturë për kontrolle efikase të kufirit, në përputhje me kërkesat e BE-së duke pasur parasysh standardet e Schengenit. Revitalizimi i pikë kalimit përfshin kabina të reja kontrolluese, sistem elektronik dhe ndërtesën administrative, të cilat do të mundësojnë zbatimin e menaxhimit të integruar të kufirit.

Pikë kalimi kufitar në Morinë, e mbulon pjesën më të madhe të qarkullimit të mallrave përmes Kosovës, si dhe pothuajse të gjithë trafikun turistik që hyn në Shqipëri nga verilindja.