Rifillon prodhimi në fabrikën e Ferronikelit (Foto)
Pas disa muajsh mosprodhimi, gjiganti ekonomik NewCo Ferronikeli tashmë ka rinisur me prodhimin.
Me nisjen e prodhimit, kjo fabrikë ka planifikuar që të ndërmarrë hapa strategjik dhe afatgjatë, për të siguruar zhvillimin dhe stabilitetin e mëtejshëm të kompanisë, transmeton Indeksonline.
“E gjithë teknologjia që kompania zotëron është në gjendje funksionale dhe prodhimi u realizua me sukses pas disa javë përgatitjesh. Përveç likuidimit të pagave të papaguara për mbi 800 punëtorët e fabrikës, NewCo Ferronikeli ka edhe 200 bashkëpunëtorë përmes kontraktorëve të saj të cilëve iu siguron të ardhura të rregullta, gjë që e rrit në mbi 1,000 persona numrin të bashkëpunëtorëve të kompanisë. Pas investimit të fondeve të mjaftueshme nga ana e Grupit Balfin, prodhimi në fabrikë rifilloi me sukses, dhe kompania ka planifikuar që të ndërmarrë hapa strategjik dhe afatgjatë, për të siguruar zhvillimin dhe stabilitetin e mëtejshëm të kompanisë. Në këtë mënyrë, garantohet një rrugë e sigurt për ta kthyer NewCo Ferronikelin si prodhues strategjik në Kosovë dhe si lider në industrinë e ferronikelit në nivel global”, kanë thënë zyrtarë të kësaj kompanie pas nisjes së prodhimit.
Qindra kontraktorë të kompanisë janë në procesin e likuidimit të detyrimeve të papaguara financiare, të nënshkrimit të marrëveshjeve, dhe tashmë janë bërë pagesat e para, ndërkohë që kreditorët e fundit të mbetur janë në procesin e negocimit të kërkesave të tyre.
Pas rinisjes së prodhimit, synimi është të rritet kapaciteti prodhues, të zgjerohet tregu dhe të rriten eksportet, gjë që do të ndikojë pozitivisht në ekonominë e rajonit të Drenasit dhe në ekonominë e Kosovës në përgjithësi./Indeksonline/