Roma i thotë “arrivederci” veturave dizel
Menjëherë pas vendimit historik të disa qyteteve gjermane të cilat kanë ndaluar automjetet me naftë, kryetarja e Romës ka njoftuar se kryeqyteti i Italisë do t’i ndaloj automjetet dizel në qendrën e qytetit nga viti 2024.
Virginia Raggi ka dhënë lajmin e rëndësishëm në llogarinë e saj në Facebook, ku shkruan se “Roma ka vendosur të ndaloj përdorimin e automjeteve me naftë, në qendrën e saj, nga vitit 2024” .
Një vendim i tillë është mjaft i vështirë për tu marrë duke pasur parasysh që Italia është një nga vendet që preferojnë mjaft shumë veturat dizel. Në fakt, afërsisht dy të tretat e 1,8 milionë veturave të reja të shitura vitin e kaluar, ishin me motor dizel.
Përtej synimit për të përmirësuar shëndetin e banorëve të saj, ndalimi me naftë i Romës do të synojë të mbrojë jetëgjatësinë e monumenteve më të famshme të qytetit.
Një studim i një dege të Ministrisë së Kulturës vitin e kaluar përcaktoi se 3.600 monumente guri dhe 60 skulptura prej bronzi janë në rrezik përkeqësimi serioz për shkak të ndotjes së ajrit. Fasada e Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, për shembull, përmban njolla të shumta të ndotjes. /IndeksOnline/