12:23 / E Hënë, 14 Shkurt 2022 / AR

Ronaldo-Rangnick, thyerja është totale, kë do të përkrahë Man United?

Janë ditë plot tension për dhomën e zhveshjes së Manchester United. “Djajtë e Kuq” po përjetojnë një krizë rezultatesh dhe trajneri gjerman, Ralf Rangnick, nuk ka më mbështetjen e “peshave të rënda” të skuadrës, të kryesuar nga Cristiano Ronaldo.

“Ylli” portugez mendon se Rangnick nuk e ka nivelin për të drejtuar një skuadër të madhe si Manchester United.

Situata është përkeqësuar ditët e fundit pas deklaratës së trajnerit se “Ronaldo duhet të shënojë më shumë, kjo është e qartë.” Këto fjalë vetëm sa kanë shtuar zemërimin e sulmuesit me trajnerin e tij. Thyerja mes tyre është totale.

“Djajtë e Kuq” janë të gjashtët në Premier League dhe i vetmi kommpeticion, ku janë ende në garë për ta fituar, është Champions League. Kjo situatë ka rënduar pozitat e trajnerit, që me sa duket është i paaftë për të gjetur gjuhën e përbashkët me lojtarët e tij.

Pavarësisht kësaj situate, Cristiano është i lumtur që jeton në Mançester dhe në parim, marrëdhënia e tij e keqe me trajnerin nuk e cënon vazhdimësinë në “Old Trafford”. Për këtë arsye, plani i sulmuesit 37-vjeçar është që të vazhdojë tek United edhe sezonin e ardhshëm, por mbetet të shihet se çfarë plani ka United me Rangnick…

Një stuhi e re po shpërthen në Mançester, pasi Rangnick, edhe pasi të largohet nga posti i trajnerit në fund të këtij sezoni, do të marrë detyrën e drejtorit teknik. Por pas ngjarjeve të fundit, e ardhmja e tij mund të jetë shumë ndryshe. Bordi i United kërkon të shmangë marrjen e ndonjë vendimi të rëndësishëm derisa trajneri gjerman të largohet nga pankina.