23:40 / E Enjte, 15 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Rooney pensionohet me fitore nga Anglia

Mbrëmjen e sotme është edhe miqësorja mes Anglisë dhe Shteteve të Bashkuar të Amerikës. Takimi i zhvilluar në “Wembley” dhe i fituar 3-0 nga vendasit ka qenë i veçantë për shkak të rikthimit për herë të fundit të Wayne Rooney në kombëtare. Sulmuesi anglez është aktivizuar në pjesën e dytë.

Mesfushori i Manchester United, Jese Lingard ka kaluar në avantazh anglezët me një goditje të mrekullueshme nga jashtë zone në minutën e 26-të, teksa një minutë më vonë ka ardhur edhe goli i dytë i realizuar nga mbrojtësi i Liverpool, Trent-Alexander Arnold, i cili është bërë edhe lojtari më i ri (20 vjeç, 39 ditë) që shënon për “Tre Luanët” pas Michael Owen kundër Luksemburgut në shtatorin e 1999-ës (19 vjeç, 264 ditë).

Momenti më drithërues i takimit ka ardhur në minutën e 58-të, kur ndeshja është ndalur për futjen në fushë të Wayne Rooney, i cili ka marrë vendin e Lingard. Të gjithë të pranishmit në “Wembley” janë ngritur në këmbë dhe kanë duartrokitur golashënuesin më të mirë të historisë së “Tre Luanëve”, i cili ka marrë edhe shiritin e kapitenit.

Kjo ka qenë ndeshja e 120-të me kombëtaren për ish-sulmuesin e Manchester United. Ai mban vendin e dytë pas Peter Shilton (125) për numrin e takimeve të luajtura me përfaqësuesen.

13 minuta para fundit ka ardhur edhe goli i tretë i anglezëve, që kanë shënuar me Wilson, i cili e ka festuar debutimin me kombëtaren në mënyrën më të mirë të mundshme.

Temat: