11:53 / E Enjte, 28 Janar 2021 / OSH

Rreth 200 ekipe në terren, për votimin e personave me Covid-19

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të ketë 200 ekipe mobile në terren në shërbim të personave të infektuar me Covid-19 për votimet në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Indeksonlinen se janë bërë përgatitjet që votimi i personave të infektuar me Covid të jetë i suksesshëm.

“Ekipet mobile do të jenë në shërbim për qytetarët që nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkak të masave kufizuese. Mësimet të cilat i kemi marrë nga Komuna e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut do të na shërbejnë shumë në realizimin e shërbimit të votimit edhe për këta qytetarë me të drejtë vote. Zakonisht ekipet mobile do të përbëhen nga 4 anëtarë.

Njëri prej tyre do të jetë nga ekipet shëndetësore me qëllim që të këshillojë profesionalisht anëtarët e ekipit mobil. KQZ-ja do të marrë listat zyrtare nga IKSHPK-ja dhe institucionet e tjera përkatëse që merren me pandeminë, në mënyrë që të evidentohen dhe saktësohen të prekurit me Covid që janë në listat votuese. Kjo praktikë është ndjekur edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut”, ka thënë Elezi./Indeksonline/