Rriten importet e makinave kineze në Afrikën e Jugut
Ndërsa Kina dhe Perëndimi bëjnë përpjekje të rrisin numrin e makinave elektrike, makinat me naftë dhe benzinë, mbizotërojnë tregun në Afrikë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Zaheer Cassim, prodhuesit kinezë të automjeteve ofrojnë çmime aq të lira për tregun e Afrikës së Jugut, më i madhi në kontinent, sa tregtarët thonë se firmat e tjera, më të njohura, rrezikojnë të zhduken.
Ross Grey është në kërkim të një makine me karburant.
“Arsyeja pse po shikoj për automjete kineze është para së gjithash çmimi. Ato janë shumë më të lirë se firmat e tjera më të njohura”, thotë Ross Grey, banor i Johanesburgut.
Një makinë kineze kushton mesatarisht sa gjysma e çmimit të disa prej firmave më të njohura nga vendet e tjera. Ralph Hiebner, menaxher rajonal shitjesh të kompanisë kineze BAIC, thotë se është çmimi që tërheq klientët drejt dyqanit të tij.
“Makinat kineze nuk janë të lira, (në kuptimin që Kina po mbyt tregun e Afrikës së Jugut për të hequr qafe makinat e tepërta) por ofrojnë kushte të mira për sa i përket pagesës mujore, dhe kjo është jo që i tërheq më shumë klientët afrikano-jugorë”, thotë zoti Hiebner.
Prodhuesit kinez janë bërë pretendentë seriozë në industrinë e automobilave të Afrikës së Jugut, thotë Mari McGeer, shitëse për një tjetër kompani kineze, ‘Haval’.
“Disa firma të tjera po mbyllen, për shkak të filialeve kineze që po shtohen. Mund të them se ne po lulëzojmë”, thotë zonja McGeer.
Në të kaluarën, makinat kineze nuk ishin të pëlqyera për konsumatorët e Afrikës së Jugut për shkak të cilësisë së tyre. Kjo gjë duket se ka ndryshuar tani. Ross Grey, banor i Johanesburgut, thotë se ekziston edhe një arsye tjetër për të blerë makina kineze.
“Në Afrikën e Jugut, automjetet kineze nuk janë në listën e makinave që vidhen, siç ndodh me makinat e firmave të njohura”, thotë zoti Grey.
Vetëm një e treta e afrikano-jugorëve zotërojnë një automjet. Megjithatë, Afrika e Jugut është tregu më i madh i makinave në kontinent.
Firmat Ford, Toyota, Volkswagen dhe Mercedes kanë fabrika prodhuese aty. Ato prodhojnë për eksport ose për tregun vendas.
Firmat kineze po e dëmtojnë industrinë në vend, thotë Mikel Mabasa, drejtues i Këshillit të Biznesit të Automobilave në Afrikën e Jugut.
“Në pesë vitet e fundit kemi parë se firmat nga Kina kanë tejkaluar shumë prej firmave më të njohura që kemi në vend”, thotë zoti Mabasa.
Ai shton se mes viteve 2019 dhe 2023 shitjet e makinave kineze janë rritur me 200%.
Popullariteti në rritje nuk është pa probleme. Në vitin 2018, firma BAIC hapi një fabrikë prodhimi në Kepin Lindor, por prodhimi thuhet se ngeci për shkak të pandemisë, mosmarrëveshjeve rreth punësimit dhe për faktin se nuk është firmë e njohur në treg.
“Prodhimi i makinave atje nuk ka filluar ende për shkak të problemeve”, thotë zoti Mikel Mabasa nga Këshilli i Biznesit të Automobilave.
Pavarësisht problemeve të firmës BAIC, Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa ka treguar interes për makina që nuk janë të dëmshme për mjedisin. Ai ka kërkuar më shumë investime nga Kina duke i kërkuar prodhuesit të makinave elektrike kineze BYD të hapë një fabrikë në Afrikën e Jugut./VOA