Rriten tensionet mes Rumanisë dhe Hungarisë, pas kërcënimit për varje
Tensionet mes Rumanisë dhe Hungarisë po rriten, pas një deklarate të kryeministrit rumun Mihail Tudose, i cili kërcënoi me varje anëtarët e pakicës hungareze në rajonin e Szeklerland, në të cilin hungarezët etnikë janë shumicë.
“Nëse flamuri i komunitetit Székely do të valëvitet mbi institucionet, të gjithë do të valëviten pranë tij”, citojnë mediat rumune, kryeministrin Tudose.
Pas kësaj deklarate ka reaguar ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó, i cili të premten thirri ambasadorin rumun në Budapest për të kërkuar shpjegime në lidhje me deklaratën e kryeministrit.
Szijjártó tha se nuk ishte i kënaqur me shpjegimin e ambasadorit.
“Kërcënimi i një bashkësie etnike me ekzekutimin ishte “krejtësisht e papranueshme”, tha Szijjártó, duke shtuar se debati mbi hungarezët etnikë në Rumani duhet të mbahet “në mënyrë të civilizuar”.
Në Rumani jetojnë rreth 1.2 milionë njerëz, në Transilvani, një rajon i dikurshëm i Perandorisë Austro-Hungareze që u bë pjesë e Rumanisë në fund të Luftës së Parë Botërore.