21:30 / E Mërkurë, 13 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Rruga e vështirë për transformimin e FSK-së

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) nuk u bë as këtë vit, ndonëse secila qeveri që vjen si prioritet ka bërjen e ushtrisë së shtetit.

Në Qeverinë Haradinaj thonë se po punohet në këtë drejtim, por që nuk dihet koha se kur do të ndodhë transformimi i shumë pritur.

Halil Matoshi, këshilltar për media i kryeministrit Ramush Haradinaj, në një përgjigje për Indeksonline ka thënë se pavarësisht mos transformimit të FSK-së në FAK, është bërë një punë e madhe në avancim dhe në ngritjen e kapaciteteve operacione të FSK-së.

“Qeveria ka bërë avancime në ngritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së, si dhe në integrimin e komuniteteve pakicë në këtë forcë”, ka thënë ai

Madje sipas tij, zhvillimet e mëtejshme do të ndodhin në bashkërendim gjithëpërfshirës, me shtetet partnere strategjike të Kosovës dhe me NATO-n.

Ditë më parë Indeksonline kishte marr mendimin rreth kësaj çështje edhe nga njohësi i çështjeve ushtarake Naim Maloku, i cili kishte thënë se fati i shndërrimit të FSK-së në Forca të Armatosura nuk do të varet më vetëm prej Kosovës dhe dëshirës së disa politikanëve kosovarë.

“Koha e kalimit dhe e ndryshimit ka kaluar në vitin 2013, kur kanë mundur partitë politike shqiptare me u marrë vesh dhe me e bo atë hap. Ajo shancë është lëshuar, tash fati i Forcave të Armatosura lidhet me fatin e rajonit dhe jo vetëm të Kosovës”, ka thënë Maloku.

Sipas tij, në vitin 2013 edhe deputetët serbë kanë qenë të pajtimit për ndryshime kushtetuese, por partitë shqiptare nuk kanë bashkëpunuar.

“Në vitin 2013 deputetët serb kanë qenë të pajtimit me e dhanë pëlqimin për ndryshimet kushtetuese, me kundër shpërblim që me e vazhdu edhe një mandat me vende të rezervuara në Kuvend të Kosovës. Kjo nuk është arrit falë mosbashkëpunimit të partive politike shqiptare në atë kohë. Këtë dëm ja kanë vërë vetë partitë shqiptare vendit”, shpjegoi Maloku.

Ndërsa Matoshi i pyetur nëse arsyeja kyçe që Kosova vazhdon të mbetet pa ushtri është Lista Serbe, ka deklaruar si institucion do të marrin pajtimin e komuniteteve joshumicë dhe përmes ndryshimeve kushtetuese të arrihet ky synim./Indeksonline/