23:47 / E Martë, 21 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Rryma, pjesë dhe pengesë e zhvillimeve

Në zgjedhjet e deri te Kuvendi ndërprerja energjisë elektrike ruan me fanatizëm traditën e saj.

 Bizneset rrezikojnë të ndalin veprimtarinë në mungesë të energjisë elektrike. Në anën tjetër, rryma ofrohet falas për disa pjesë të Kosovës por u ndalet institucioneve vitale të shtetit, duke mos kursyer as Kuvendin e Kosovës dhe Gjykatën.Të dhënat e fundit e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) thonë se për muajt korrik-shtator u prodhuan rreth 1.8 mijë ton thëngjill.

“Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2017 (TM3 2017) vlera e gjithmbarshme e prodhimit të thëngjillit është rreth 1.80 mijë ton. Kurse, sasia bruto e energjisë elektrike, e prodhuar në termocentrale është 1 316.8 GWh dhe në hidrocentrale është 23.0 GWh”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Në tremujorin e tretë Kosova eksportoi më shumë se sa importoi energji elektrike.

“Sa i përket vlerave të energjisë së importuar, respektivisht të eksportuar, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2017, Kosova ka importuar 66.7 GWh energji elektrike, derisa gjatë të njëjtës periudhë, pra TM3 2017, Kosova ka eksportuar 194.4 GWh energji elektrike”, tregon komunikata.

Në publikimin e ASK-së vërehet se importi i energjisë elektrike është dukshëm më i ulët në krahasim me importin e tre muajve të vitit të kaluar (141.8 GWh) përderisa eksporti është pothuajse në nivelin e njëjtë (199.4 GWh).

Sipas komunikatë, konsumi i energjisë elektrike është rritur në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Në tremujorin e tretë të vitit 2017, sasia e energjisë elektrike e konsumuar në Kosovë është 958.8 GWh energji elektrike. Në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2016), sasia e energjisë elektrike e konsumuar është ngritur për 14.3%”, bëhet e ditur nga ASK.

Në analizën e KALLXO.com vihet në pah se rryma vazhdon të jetë pjesë dhe pengesë e shumë zhvillimeve në vend.

Përderisa kaluan më shumë se 17 vite nga lufta, Kosova vazhdon betejën për energji të mjaftueshme elektrike.

Mungesa e saj shfaqi probleme në zgjedhjet e organizuara në vend, probleme në afarizmin e bizneseve, në institucione publike, madje duke shkaktuar probleme edhe seanca gjyqësore.

Në kërkim të zgjidhjes për rrymë në zgjedhje

Në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, në komunën e Dragashit në disa vendvotime në disa fshatra ka pasur probleme me energji me ndërprerje të herëpashershme. Ndërprerje të rrymës kishte edhe në fshatin Bukosh të komunës së Suharekës.

Probleme me rrymë kishte edhe në fshatin Hereq të Gjakovës, ku ekipeve të KEDS-it iu desh të intervenojnë për rregullimin e saj.

Beteja e bizneseve për rrymën

Në muajin mars të këtij viti, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) kishte dalë me raport për ambientin e biznesit në vend, të cilin ia dorëzoi ish-kreut të ekzekutivit Isa Mustafa.

OEK-u në raport përveç mungesës së liberalizimit të vizave, si problem për biznesin e vendit kishte identifikuar edhe mungesën e energjisë elektrike.

Për problemet me energji elektrike ish-kryeministri Mustafa i ishte ankuar edhe Bankës Botërore (BB).

Madje kjo e fundit edhe në raportet e saj kishte përmend se mungesa e energjisë elektrike ka ndikuar që të mos ketë rritje më të madhe të energjisë elektrike.

Disa biznese pothuajse kanë ndalur prodhimin dhe afarimin e biznesit të tyre për shkak të problemeve me energji elektrike.

Një fat të tillë e kishte fabrika e prodhimit të ujit “Kika”.

Edhe pronari i kompanisë “Flori Center” nga Istogu kishte shprehur pakënaqësitë e veta për reduktimet me energji elektrike që mund të rezultojë deri në mbyllje të biznesit.

Probleme me energji elektrike kanë edhe disa fermerë të komunës së Kaçanikut

“Aksion”, rrymë falas në veri

Përderisa kompanitë privatë lëshojnë aksione dhe zbritje çmimesh për artikuj dhe shërbime apo të llojit blej një dhe tjetrin gratis, që disa vite pjesa veriore e Kosovës furnizimin me energji elektrike e ka të tërën “gratis”.

Pasi për shpenzimet e energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës iu është dashur ta paguajnë qytetarët e pjesëve tjera të Kosovës. Për këtë formë të faturimit Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur të pezullohet.

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës për borxhet e krijuara në komunat veriore për mospagesë të rrymës, për të cilat flitet se kapin vlerën rreth 140 milionë euro, pret që ta bëjë temë diskutimit edhe në Bruksel.

Por, një veprim i tillë i Qeverisë për t’i kërkuar vendit fqinj Serbisë t’i shlyej borxhet për komunat veriore mund të rezultojë edhe më efekt të kundërt të ndërhyrjes në çështje të brendshme.

Për dallim nga komunat veriore të cilat furnizohen me rrymë falas, banorë të komunës së Prishtinës kanë protestuar për ndërprerje të energjisë elektrike.

Probleme me rrymë kishte edhe në fshatin Landovicë të Prizrenit dhe në një çerdhe në Lipjan.

Rryma ndalet edhe aty ku vendoset për të

Nga ndërprerja e rrymës nuk është kursyer as Kuvendi i Kosovës.

Fatin e Kuvendit për ndërprerje të energjisë elektrike e kishte edhe Pallati i Drejtësisë në seancën ku akuzoheshin katër aktivistë të Vetëvendosjes për sulm ndaj Kuvendit.

Rryma në pallatin e drejtësisë është ndaluar edhe gjatë seancave të tjera.

Por problemi i rrymës shkon dhe më tej, ku Këshilli Gjyqësorë i Kosovës (KGJK) kishte marrë masa për suspendimin e një gjyqtari për vjedhje të rrymës.