23:01 / E Enjte, 25 Janar 2018 / indeksADMonline

Rusia me gënjeshtra tenton ta politizojë vrasjen e Ivanoviqit, ndryshe deklarohet presidenti Thaçi!

Rusia po vazhdon t’i ‘fut hundët’ edhe më tutje në çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës. Së fundmi, Ministria e Jashtme e këtij shteti thotë se rezultatet e hetimit të vrasjes së Oliver Ivanoviçit nuk janë të dukshme dhe se kërkesat e Beogradit për kryerjen e punëve të përbashkëta po injorohen.

Zëdhënësja nga Moska, Maria Zaharova u shpreh se Prishtina dhe sponsorët e saj po fshehin dicka, në lidhje me  këtë vrasje. Rezultatet e hetimeve, sipas saj, nuk janë të dukshme, dhe se për këtë çështje Beogradit po vazhdon të injorohet.

Zakharova vuri në dukje mungesën e “rolit kyç të Bashkimit Evropian në Ballkan”, duke theksuar se pala ruse mbështet kërkesat e Serbisë “për të përfshirë autoritetet serbe kompetente dhe strukturave të policisë në kryerjen e hetimeve”.

“Kjo (vrasja e Ivanoviçit) është një incident jashtëzakonisht serioz që minon botën dhe sigurinë në rajon”, tha ajo.

Mirëpo, ndryshe po del të jetë qëndrimi i Kosovës. Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi në një intervistë për “Indeksonline” theksoi se vendi ynë do të jetë i hapur të pranojë çfarëdo informate nga Serbia që lidhet me zbardhjen e kësaj vrasje.

Sipas tij, rasti në fjalë nuk mund të ndikojë në raportin Kosovë-Serbi sepse nuk ka akuza të ndërsjella. Thaçi thotë se Kosova është duke kryer obligimet e veta investigative çfarë i ka në përputhshmëri me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Ne do të pranojmë çdo informatë edhe nga Serbia që çon drejt zbardhjes së këtij rasti, vrasje kjo kriminale që është konkludim i gjithanshëm edhe i ndërkombëtarëve dhe vendorëve që është mes grupeve kriminale dhe mafioze. Ndërsa, nuk ka fare ndërlidhshmëri të motiveve politike apo etnike”, deklaroi Thaçi.  /Indeksonline/