20:31 / E Premte, 29 Shtator 2023 / MSH

Sallova: Brukselit i duhet reflektim dhe ndryshim të qasjes në dialog!

Shkruan: Donik Sallova

– Është koha që negociatorët e Brukselit të reflektojnë dhe të ndryshojnë qasjen që kanë ndjekur në dialogun Kosovë-Serbi. Herë haptazi si këta aktualët, e herë fshehurazi si ata të mëhershmit, negociatorët europianë janë munduar që në dialogun që nisi në vitin 2011 ta kompensojnë Serbinë për humbjen e Kosovës, duke plotësuar kërkesat e saj për të shtrirë kontrollin në pjesët e territorit të Kosovës të banuar me serbë. Kjo tolerancë e Brukselit ndaj aspiratave territorialiste të Serbisë bie ndesh me projektin e vet bashkësisë euro-perëndimore për ndërtimin e Kosovës si shtet qytetar, ku asnjë njësi politike, as shteti e as komunat, nuk mund të identifikohet mbi baza kombëtare apo etnike. Për shqiptarët ky ka qenë kompromis i madh, sepse shteti i Kosovës është projekt shqiptar. Ndërkombëtarët insistuan në shkombëtarizimin shqiptar të cdo segmenti institucional e politik të shtetit të Kosovës, por nuk insistuan të njejtën gjë edhe tek serbët.

– Me marrëveshjen e 19 prillit 2013 ata imponuan kërkesën e Serbisë për segregimin mbi baza etnike të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë në 4 komunat veriore, si dhe hodhën farën e idesë së Asociacionit njëetnik serb si një hap tjetër drejt vecimit politik të serbëve si kombësi kundrejt shtetit të Kosovës. Në dialogun përgjatë viteve negociatorët e Brukselit më shumë kanë synuar të kënaqin interesat e Serbisë se sa të shohin se cfarë mund të bëhej më shumë për serbët në kuadrin e avancuar të lirive dhe të drejtave brenda kushtetutës së Kosovës. Brukseli i mori të mirëqena interesat e Serbisë edhe si interesat e serbëvë të Kosovës. Duke e pranuar qëndrimin mosnjohës të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës, BE këtë qëndrim e konstatoi edhe si qëndrim të serbëve të Kosovës, duke mos analizuar ndonjëherë faktin që shteti i Kosovës është edhe i serbëve.

– Bashkimi Europian në vazhdimësi i ka injoruar faktet mbi realitetin politik jo të lirë të popullësisë serbe në 4 komunat veriore të Kosovës. Duke e toleruar ndikimin e lirshëm të Beogradit në veri BE-ja e ka trajtuar me standarde të dyfishta Kosovën, në njërën anë me kërkesa për forcim të demokracisë dhe shtetit ligjor nga shqiptarët, e në anën tjetër duke e toleruar politikën e modelit autoritarist të Vuciqit në pjesën veriore të Kosovës. Duke jetuar në rrethana të tilla politike, me pamundësi për zgjedhje të mirëfillta demokratike, serbët e veriut u shndërruan në instrument në duar të Beogradit kundër shtetit të Kosovës. Këtë zgjedhje ata nuk e bënë të lirë, por nën shantazhin e përditshëm të grupeve kriminale, mafioze e të armatosura që drejtoheshin nga Vuciqi. Bashkësia ndërkombëtare, duke përfshirë BE-në, KFOR-in, EULEX-in, OSCE-në dhe organizata të tjera që ndodhen atje e kanë toleruar këtë kufizim lirie për serbët e komunave veriore.

– Duke u propaganduar atyre se do të shtypen nga shqiptarët nëse integrohen, Serbia në fakt i ka shtypur vet serbët e veriut të Kosovës përmes izolimit dhe imponimit të refuzimit të të drejtave që atyre ua garanton shteti i Kosovës. Serbia për interesat e saj u imponoi atyre iluzionin se kjo pjesë e Kosovës një ditë do të bëhet pjesë e shtetit të Serbisë. Pas dështimit të “shkëmbimit territorial”, Serbia iu kthye idesë së Asociacionit si një Republika Srpska brenda Kosovës.

– Marrëveshja e re e Brukselit dhe Ohrit nuk mund të trajtohet nga negociatorët sipas kutit të Serbisë. Ajo marrëveshje ka disa pika të cilat kanë numra, nga numri 1 deri tek numri 11. Renditja e pikave të marrëveshjes sipas numrave është bërë për të identifikuar cila është pika e parë, e dytë e tretë e kështu me radhë. Si cdo gjë tjetër, edhe marrëveshjet i rendisin si të parat aspektet më elementare, bazike dhe themelore të një ceshtjeje, pastaj renditen aspekte që mund të lidhen me detaje ose anë më përiferike. 4-5 nenet e para të marrëveshjes i përcaktojnë parimet themelore të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: si palë të barabarta, që zhvillojnë fqinjësi të mirë dhe respektojnë njera tjetrën si subjekte sovrane në raporte reciproke. Vetëm respektimi i këtyre parimeve bazike i jep shansë zhvillimit të raporteve të mëtejshme. Dështimi i marrëveshjeve të kaluara ka ndodhur pikërisht sepse nuk kanë ekzistuar parime të tilla themelore.

– Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka kundërshtuar këtë qasje të Brukselit dhe kjo solli rezultatin e bllokimit të një dialogu që pranonte cdo kërkesë të Serbisë. Refuzimi i qasjes së vjetër të dialogut që po zbatohej edhe nga negociatorët e rinj solli sanksione për Kosovën dhe inkurajim për Serbinë. Duke e parë moszmbrapsjen politike të Qeverisë Kurti përballë presionit ndërkombëtar, Serbia provoi përshpejtimin e krijimit të gjendjes faktike të kontrollit të veriut të Kosovës tashmë haptazi me formacionet paramilitare që e shkaktuan sulmin terrorist në Basnjkë. Vuciqi u mundua ta marrë me forcë atë që iu bllokua nga Kurti që ta merrte përmes negociatorëve në Bruksel. I dështuar në planin negociator dhe tanimë edhe në planin e kontrollit përmes forcës, Vuciqi cdo ditë e më shumë do ta tregojë fytyrën e vërtetë përballë atyre që menduan se me të mund të garantojnë paqen dhe interesat perëndimore në Ballkan.

– BE dhe SHBA duhet të heqin dorë nga përpjekja për perëndimorizimin e Serbisë përmes bosnjizimit të Kosovës. Në vend të kësaj le të provojnë demokratizimin e Serbisë nëse duan ta shpëtojnë edhe Bosnjen. Kosova vet nuk ka dilema as për Perëndimin, as për demokracinë, por as për Serbinë!