11:44 / E Hënë, 12 Mars 2018 / indeksADMonline

SBASHK: Grevën nuk e ndalim deri në plotësimin e kërkesave

I tërë sistemi universitar e ka përfillë grevën e sotme të organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

Kështu ka deklaruar për Indeksonline, kryetari i kësaj Sindikate, Rrahman Jasharaj i cili ka shtuar se nga kontakti i parë që kanë pasur, kanë mësuar se të gjitha shkollat fillore, ato të mesme dhe universitare që janë në kuadër të SBASHK-ut, i janë përgjigjur grevës.

“Nga komunikimi i parë që kemi parë me kryetarët e këshillit grevistë në nivele komunale dhe në universitet, shihet se tërë sistemi universitar e ka përfillë grevën e sotme, pra edhe filloret edhe ato të mesme dhe ato universitare që janë në kuadër të SBASHK-ut i janë përgjigjur grevës së SBASHK-ut. Për të pasur një analizë më të hollësishme ne do të komunikojmë pas kësaj ore edhe njëherë me veprimtarët e këshillit grevist, dhe më vonë do të japim një raport sa më të saktë dhe për të treguar çfarë tutje”, ka thënë Jasharaj.

Nëse kërkesat e tyre nuk përmbushen nga Qeveria, Jasharaj ka paralajmëruar se nga 13 prilli do të ketë grevë të përgjithshme, por kësaj radhe jo një ditore, por për afat të pacaktuar.

“Uroj që Qeveria ta kuptojë realisht unitetin tonë dhe seriozitetin. Ajo ka kohë nga sot deri më 13 prill që të veprojë dhe të realizojë kërkesat tona tani më të ditura, të SBASHK-ut. Në të kundërtën, duke u bazuar në rezolutën që e nxori kongresi i SBASHK-ut me 24 shkurt, ajo obligon kryetarin dhe kryesinë të vazhdojë me veprimet sindikale. Ajo që na pret më 13 prill është greva e përgjithshme në sektorin e arsimit, por tani jo një ditore, por në kohë të pacaktuar deri në realizimin e kërkesave tona legjitime”, ka thënë Jasharaj.

Veprimet sindikaliste të  SBASHK-ut kanë filluar për shkak të ngritjes së ulët të pagës në janar  të këtij viti. Gjithashtu kërkesë tjetër e tyre është njohja e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitin shkollor 1989/90 e deri në vitin shkollor 1998/99 dhe mos funksionalizimi i Ligjit mbi sigurimet shëndetësore./Indeksonline/