Sefaj e Pacolli vëzhgojnë nga afër ndalimin veturave (Foto)
Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj ka monitoruar së bashku me Selim Pacollin nga afër zbatimin e planit për ndalimin e qarkullimit të veturave në kryeqytet.
“Së bashku me nënkryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Selim Pacolli monitoruam për së afërmi zbatimin e planit për ndalimin e qarkullimit të veturave në kryeqytet. Vendimi për ndalimin e qarkullimit të veturave në kryeqytet i cili është marrë pas konsultimeve të krerëve komunalë të Prishtinës me Ministrinë e Ambientit dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka filluar të zbatohet sot duke filluar nga ora 06:00 e mëngjesit dhe do të vazhdojë deri në orën 22:00”, thuhet në postimin e Sefajt në Facebook.
Tutje ministri ka thënë se ky kufizim i qarkullimit të automjeteve është bërë me qëllim të parandalimit të nivelit të lartë të ndotjes së ajrit në Prishtinë. Ndryshe që nga ora 06:00 e mëngjesit të sotëm, ka nisur ndalimi i veturave për qarkullim brenda qytetit të Prishtinës.
Përveç automjeteve të transportit publik, emergjencës, Policisë së Kosovës, FSK-së, KFOR-it, EUELX-it, Drejtorisë së Inspektoratit, taksitë e licencuara, automjetet për bartjen e personave me aftësi të veçanta, të cilat bartin shenjë identifikuese, të gjitha makinat e tjera do të ndalohen.