20:42 / E Martë, 12 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Sejdiu: Si myslimanët që kanë Kuranin e krishterët Biblën, shtetësia e Kosovës e ka Amerikën

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, i cili është pjesë Grupin Parlamentar të LDK-së, Korab Sejdiu, ka thënë se dëmi i Qeverisë tashmë i ka tejkaluar kufijtë e brendshëm.

Sejdiu në RTV Dukagjini, ka thënë se dëmet e Qeverisë në rrënimin e shtetësisë nga brenda janë të dukshme tashmë, por sipas tij kohët e fundit Qeveria ka filluar të shkaktojë edhe dëme në raport me politikën e jashtme.

“Po rrezikojnë në mënyrën më të keqe të mundshme edhe raportet tona me miqtë tanë ndërkombëtar, dhe siç po shihet edhe sot me letrën e fundit dërguar krerëve shtetërorë, po prishen edhe raportet me mikun tonë më të mirë që e kemi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“… Sikur për myslimanët që është Kurani, për të krishterët Bibla, për shtetësinë e Kosovës është Amerika”, tha Sejdiu,

Deputeti opozitar në Kuvendin e Kosovës, ka hedhur kritika ndaj Haradinajt, pasi sipas tij, ky i fundit nuk po vepron si kryeministër, por si kreu i një partie të vogël.

“Kur je kreu i ekzekutivit, veprimet që ndërmerr duhet të jenë me përgjegjësinë më të madhe të mundshme”.

Sejdiu ka thënë se duhet marrë shembull Presidenti Rugova, në raport me konsultimet që ai kishte bërë më SHBA.