75 Mall Live Search
13:04 / E Mërkurë, 28 Mars 2018 / indeksADMonline

Serbët ultimatum Prishtinës, do ta formojmë asociacionin më 20 prill

(I plotësuar)- Përfaqësuesit e dhjetë komunave serbe kanë kërcënuar sot në Mitrovicën e Veriut, se nëse Prishtina zyrtare deri më 20 prill nuk do të formojë asociacionin e komunave me shumicë serbe, atëherë ata vetë do ta bëjnë një gjë të tillë, e cila sipas tyre nuk do të përbëjë shkelje por zbatim të marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Të mbledhur në sallën e njëjtë ku para pak ditësh ndërhyri policia speciale e Kosovës për të arrestuar të ashtuquajturin shef të Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, ishin përfaqësues të serbëve të Kosovës.

Ivan Todosijeviq, ministër i Pushtetit Lokal të Kosovës, ka fajësuar Prishtinën dhe BE-në për mos formimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, duke thënë njëherësh se asociacioni po përdoret për të nënçmuar Serbinë.

 

 

“Janë bërë pesë vjet nga marrëveshja për asociacionin dhe kjo është obligim që Prishtina dhe perëndimi nuk dëshiron ta implementojë. Ky nuk është hiri ynë. Prishtina dhe Perëndimi nuk janë të gatshëm të formojnë asociacionin. Asociacioni përdoret për nënçmimin e Serbisë dhe Beogradit. Ne sot porositim që të dëgjojnë të gjithë, nuk kam frikë që flas sot. Nëse Prishtina dhe perëndimi nuk dëshirojnë të formojnë asociacionin, ne kemi të drejtë të formojnë bashkësinë e komunave me shumicë serbe. Është përmendur se do të na arrestojnë. Le të na arrestojnë të gjithë dhe dëshirojmë nga ky vend të themi, pavarësisht presioneve nga Prishtina dhe BE, nuk jemi kundër paqes, jemi për paqe dhe dialog, të gatshëm të flasim për paqe”, ka thënë Ivan Todosijeviq, ministër i Pushtetit Lokal të Kosovës.

Igor Simiq, deputet nga Lista Serbe, tha se kanë bërë gabim që para pesë vjetëve nuk kanë formuar asociacionin, pasi ai, sipas tij, është për të mirën e serbëve të Kosovës.

 

“Bashkësia e komunave serbe është paraparë sipas marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ju do të sillni vendimin nëse Prishtina nuk e bën këtë deri më 20 prill, dhe nuk do të shkelni asnjë rregull, por nga ana tjetër do të bartni porosinë se respektoni marrëveshjen e Beogradit dhe Prishtinës, por edhe atyre që nuk janë sot, e ata janë BE-ja”, tha Simiq.

Ai tha se nga presidenti Vuçiq kanë marrë mbështetje se Serbia nuk do shikojë nëse ndodh diçka ashtu sikurse ndodhi me rastin e arrestimit të Gjuriqit.

 

“Në emër të deputetëve të Listës Serbe ju përshëndes dhe ju porosis se në Kuvend do të jemi opozitë e fuqishme ndaj të gjitha propozimeve të qeverisë, pasi ajo aktualisht nuk punon në interes të serbëve të Kosovës”, tha ai.

…………………………………

Megjithëse i thirrur për në orën 12:44, që simbolizon Rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën, takimi i serbëve të Kosovës nisi me rreth 10 minuta vonesë.

Pjesë e këtij takim janë përfaqësuesit e komunave serbe të Kosovës, ku është paralajmëruar themelimi i Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Temat: