17:55 / E Shtunë, 03 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Sfida që e pret Sylejman Selimin

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari i është përgjigjur thirrjes së deputetit të Kuvendit nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj për ta vizituar Gjeneralin e UÇK-së, Sylejman Selimi, i cili ndodhet në burgun e Dubravës.

Jashari në një prononcim për “Indeksonline” ka thënë se është gjithçka e planifikuar dhe se Selimi pritet të vizitohet javën e ardhshme.

“…Në mars të këtij viti është vizituar Z.Selimi dhe të tjerët. Edhe kështu që po ka qenë në plan javën e ardhshme me mekanizma përkatës të institucionit të Avokatit të Popullit që të vizitohet në burgun e Dubravës, Sylejman Selimi së bashku me të tjerët kështu që veç ka qenë e planifikuar edhe më herët”, është shprehur Jashari.

Më tutje, numri një i Avokatit të Popullit ka theksuar se tek ta janë dërguar tanimë disa shkresa lidhur me mbajtjen në burg të  Sylejman Selimit veçse siç thotë ai nuk ka ende kërkesë formale që të hapet procedurë e hapur.

Sipas tij, shumë shpejt pritet të bëhet një vlerësim apo hetim i administrimit të drejtësisë nëse ka apo jo ndonjë shkelje eventuale gjatë procesit të rastit “Sylejman Selimi’.

“Po nuk mundem ne të kemi pritje përderisa si shohim shqetësimet që mund të ngritën prej vet z. Sylejman Selimit dhe të tjerëve. Po ndërkohë janë përcjellë edhe tek ne këto shkresa para sa kohësh dhe ndërkohë kemi me marrë edhe vendimin e gjykatës pas disa ditësh mirëpo nuk ka një kërkesë formale as prej avokatit për me inicu procedurë të hapur mirëpo as prej palës ndërkohë mbasi të shkojmë në vizitë neve na duhet autorizimi nëse kërkohet një vlerësim apo hetim prej anës sonë  për të parë administrimin e drejtësisë sepse ju e dini se ato janë vendime gjyqësore dhe në to nuk ka kompetencë askush mirëpo te administrimi i drejtësisë institucioni i Avokatit të Popullit ka mandat për me vlerësu nëse është bërë ndonjë shkelje eventuale”, ka thënë Jashari në një bisedë për Indeksonline.

Në fund, i pyetur nga portali rreth asaj se a ka gjasa që të lirohet komandanti i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, Jashari nuk ka dashur të lëshohet shumë në këtë drejtim me arsyetimin se është ende herët.

“…Nuk mundem me paragjyku  dhe është herët që me vlerësu  për arsye se ende nuk kemi filluar hetimet për administrimin e drejtësisë kështu që është e hershme për ne me paragjyku”, ka përfunduar ai.

Rikujtojmë, se para dy jave Gjykata Supreme e Kosovës ka liruar me kusht Jahir Demakun, ndërsa ka hedhur poshtë kërkesën për lirim të Sylejman Selimit.

Ndërsa, avokati i ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi, Tomë Gashi ka thënë se klienti i tij është duke u mbajtur padrejtësisht në burg. Sipas tij, vendimi për burgosjen e Sylejman Selimit është politik dhe pa asnjë bazë juridike. “Nuk ka asnjë bazë juridike që Sylejman Selimi të vazhdojë të mbahet në burg.

Ndryshe, së fundi Ish –Komandanti i UÇK-së Sylejman Selimi në një letër ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme e cila e refuzoi kërkesën e tij për lirim me kusht.

Në letrën e shkruar me dorë, Selimi thotë se padrejtësinë ndaj tij do ta dëshmojë koha dhe se ata që kanë marrë pjesë  “në këtë montim politik duke ndërhyrë në drejtësi një ditë kanë me u turpëru para familjeve të tyre dhe para qytetarëve të këtij vendi. Koha do të dëshmojë”.

Më poshtë letra e Sylejman Selimit:

Dua të ju falënderoj ju avokatin Smith dhe avokatin Dobruna.

Për punën e palodhshme që keni bërë që pesë vite duke dhënë kontributin tuaj në procesin gjyqësor si në rastin Drenica 1 dhe 2, edhe pse ishte vetëm Drenica por që u nda padrejtësisht.

Ju dhe ekipa mbrojtëse keni dhënë kontribut të jashtëzakonshëm gjatë seancave për të dëshmuar pafajësinë time dhe grupit Drenica1 dhe 2, dhe i ndihmuat trupit gjyqësor që të dalë e vërteta në rastin tim. Por, fatkeqësisht i tërë procesi nga fillimi kishte qenë i padrejtë, i njëanshëm dhe mbi të gjitha politik. Këtë e argumentoi edhe vetë kryetari i trupit gjykues të EULEX-it z. Malcolm Simmons.

Fatkeqësisht i tërë procesi kundër meje po del të jetë proces i montuar nga politikanët vendorë e ndërkombëtarë. Tash e një kohë të gjatë jam duke e pyetur vetën pse më kanë penguar në rrugëtimin tim ndaj proceseve shtetëndërtuese para gjatë dhe pas lufte. Kam qenë bartës i institucioneve dhe bashkëpunues si me përgjegjës të sigurisë ndërkombëtare por edhe me përgjegjësit e sigurisë vendore. E gjithë veprimtaria ime ka qenë në shërbim të vendit tim. Që të kemi një vend të lirë, demokratikë që i shërben çdo qytetari, pa dallim, një vend ku respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallim, pra një vend ku sundon ligji, të cilin e kam respektuar dhe do ta respektojë gjithmonë. Por jam i zhgënjyer në drejtësinë e vendit tim ku tërë jetën time i kam shërbyer me dinjitet e deri në vetëmohim para dhe gjatë luftës për popullin tonë nën organizimin e UÇK-së si komandant i saj.

I nderuar avokat Tomë Gashi, unë që nga sot e kam marrë një vendim që të mos kem edhe më tutje përfaqësues ligjorë (avokat), nga sot nuk dua të kem avokat mbrojtës më vjen keq që deri më tani keni qenë jashtëzakonisht aktiv, në mbrojtjen e pafajësisë time dhe duke e dëshmuar me fakte keni bërë të pamundurën për ta ndihmuar edhe drejtësinë (njerëzit e saj) për ta vënë drejtësinë.

Kjo nuk po ndodh derisa kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vendit i cili edhe është organi më i lartë juridik dhe nuk zbatohet atëherë çfarë të themi çfarë të bëjmë kënd ta pyesim, ku të kërkojmë drejtësi? Ku? Politikës.

Jo, kurrë.

I nderuar Tomë, nuk më duhet avokat derisa politika dhe politikanët në veçanti të cilët vendosin për kënd dhe njerëz të caktuar të bëhet gjyqi dhe sa duhet të mbahen në izolim.

Edhe njëherë ju falënderoj juve dhe gjithë ekipin mbrojtës dhe avokatat e të akuzuarve të tjerë në rastin Drenica 1 dhe 2 për kontributin dhe përpjekjet tuaja për zbardhjen e së vërtetës që dëshmon pafajasëinë tonë. Te grupi Drenica 1 dhe 2.

Të nderuar avokatë në këtë proces gjyqësor nuk pati drejtësi por të gjithë jemi të pajtimit se ka qenë i përgatitur dhe i montuar politikisht dh për këtë do të deshmojë koha. Kurse për ata të cilët kanë qenë të involvuar në këtë montim politik duke ndërhyrë në drejtësi një ditë kan me u turpëru para familjeve të tyre dhe para qytetarëve të këtij vendi. Koha do të dëshmojë. Edhe njëherë faleminderit gjithë ekipit mbrojtës (avokat i nderuar) të rastit Drenica 1. Ju kisha lutë të gjithë ata që në një formë po bie ndërmend emri im mos ta përmendin dhe le të harrojnë që ekzistojë. Drejtësia herët apo vonë do ta thotë fjalën e vetë me respekt Sylejman Selimi, Dubravë. /Indeksonline/