16:56 / E Mërkurë, 21 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Shala deklarohet rreth taksës 100 % ndaj Serbisë, fton qytetarët t’i bashkohen kauzës

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala përmes një konference për media ka folur për taksën 100 për qind të vendosur ndaj produkteve serbe dhe atyre që vijnë nga Bosnja dhe Hercegovina.

Sipas tij, që nga nesër obligohen të gjithë inspektoratet dhe agjencionet e tjera kompetente të largojnë nga tregu secilin produkt që në deklaracionin e tij, emërtimi zyrtarë i emrit të Republikës së Kosovës mund të jetë i zëvendësuar me emra të tjerë siç është njëra ndër to edhe “Kosova i Metohija” apo vetëm me emra të qyteteve të Kosovës.

Sipas tij, çdo emërtim tjetër është në kundërshtim me  Republikën e Kosovës.

Gjithashtu, ai tha se doganat dhe institucionet tjera relevante obligohen që menjëherë të zbatojnë masat e njëjta për dokumente dhe certifikata kur kërkohet të bëhet tregti me këto dy shtete, siç janë analizat e testimit apo edhe barkodat e produkteve të Kosovës, shkruan Indeksonline.

Ky është fjalimi i tij:

“Me vendimin e sotëm obligohen inspektoratet dhe agjensionet tjera të Republikës së Kosovës që të largojnë nga tregu secilin produkt që në deklaracionin e tij emërtimi zyrtarë i Republikës së Kosovës mund të jetë apo edhe janë emra tjerë si: “Kosova i Metohija”, apo vetëm emrat e qyteteve të Kosovës dhe çdo emërtim tjetër që është në kundërshtim me Republikën e Kosovës.

Obligohen doganat dhe institucionet tjera relevante të zbatojnë masat e njëjta për dokumentet dhe certifikatat kur kërkohet të bëhet tregti me Serbinë dhe me Bosnjen dhe Hercegovinën, siç janë analizat e testimit apo edhe barkodat e produkteve të Kosovës.

Të nderuar qytetarë ju ftojmë të gjithëve të i bashkoheni kauzës tonë. Kërkojë nga prodhuesit të fokusohen më shumë në cilësi dhe të arrihet standardi më i lartë i produkteve tona në mënyrë që qytetari të mos ketë asnjë mëdyshje në konsumin e tyre ditor.

Tregtar të nderuar, kjo masë nuk është kundër jush, të bashkohemi të gjitha dhe të gjejmë një zgjidhje kreative, të gjejmë vende tjera të bashkëpunojmë dhe të importojmë në këtë regjion.

Kompanitë e Kosovës nuk mund të konkurrojnë me oferta publike në Serbi, ndërsa Serbia ka 100 kompani serbe që kanë përfituar oferta publike në Kosovë.

Ministria që udhëheq unë, e përkrahur nga Qeveria do të fokusohet në mirëqenien e qytetarëve tanë dhe për këtë shpresojë në bashkëpunimin tonë për ta fuqizuar këtë edhe më shumë”, ka deklaruar Shala.

Unë si ministër e kam kryer detyrën dhe në bazë të kompetencave dhe pas analizave përkatëse ne i kemi propozuar Qeverisë të marrë një masë të tillë dhe është marrë në mbrojtje të ekonomisë së vendit dhe në bazë të mbrojtjes së sigurisë ndërkombëtare. Besojë se kjo masë do të vazhdojë, e Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina të fillojnë ta trajtojnë Kosovën si shtet, pasi ato në çdo hap të tyre të mendojnë që ta dëmtojnë shtetin tonë.

Ndërsa sa i përket rritjes së çmimit të bukës në dy qytete të Kosovës, Shala ka thënë se ai ka autorizuar kryeinspektorin që nga nesër së bashku me inspektorët e të gjitha komunave të monitorojnë dhe të evidentojnë çdo tentim të rritjes së çmimit të paarsyeshme.

“Rritja e çmimit të bukës  në Prizren dhe Kaçanik kemi pasur informacione se është bërë si marrëveshje ndërmjet kompanive për këtë është duke u monitoruar kjo gjë.  Unë sot kam autorizuar kryeinspektorin që nga nesër inspektorati i tregut në bashkëpunim me të gjitha komunat të monitorojnë dhe të evidentojnë çdo tentim të rritjes së çmimit që është e paarsyeshme”, ka shtuar ai./Indeksonline/