16:50 / E Mërkurë, 28 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Admirali Foggo: Taksa 100 përqind ndaj Serbisë forcon izolimin e Kosovës

Komandanti i KFOR-it, James Foggo ka thënë sot se vënia e taksës prej 100 përqind për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë, mund të thellojë izolimin e Kosovës.

Këto komente Foggo i ka bërë në ceremoninë solemne të ndërrimit të komandës së KFOR-it.

Duke folur për dialogun Kosovë – Serbi, Foggo ka thënë se të dyja vendet aspirojnë të jenë më të integruara në institucionet euro-atlantike.

“Unë besoj se të dyja, Serbia dhe Kosova aspirojnë të jenë më të integruara në institucionet euro- atlantike. Unë besoj se një gjë e tillë është shumë e rëndësishme për të dy kombet. Sidoqoftë, unë jam i shqetësuar që përmes veprimeve të fundit, siç është rritja e ndjeshme e taksës në mallrat serbe, Kosova rrezikon të bëhet më e izoluar”, tha Foggo.

Duke folur për zhvillimet në veri, admirali Foggo përmendi edhe dorëheqjen e kryetarit të Mitrovicës veriore, Goran Rakiq.

“A nuk është turp që kryetari Rakiq ka dhënë dorëheqje nga post i tij si kryetari i Mitrovicës së Veriut  dje?”, tha Foggo.

Njëherit, ai ka folur edhe për procesin e transformimit të Forcave të Sigurisë të Kosovës në ushtri, me ç’rast ftoi udhëheqësit e institucioneve që të mos nguten në këtë proces, pasi që sipas tij, të gjitha palët duhet të jenë të kënaqura.