17:04 / E Hënë, 22 Janar 2018 / indeksADMonline

Shala: Me Listën Serbe, s`është e lehtë bërja e Ushtrisë në 2018-ën

Projektligji për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës pritet që në prill të sillet në Kuvendin e Kosovës.

Por, se kur mund të ndodhë kjo saktësisht nuk mund të japë përgjigje as kryetari i Komisionit të FSK-së, Haxhi Shala. Ai në një prononcim për “Indeksonline” ka thënë se deputetët akoma nuk e kanë parë planin legjislativ të Qeverisë.

Ai ka deklaruar se krijimi i Ushtrisë në vitin 2018 do të konsiderohej një e arritur e madhe e Qeverisë së Kosovës, duke pasë parasysh rolin e Listës Serbe në institucione.

“Në momentin që e kemi planin legjislativ të Qeverisë atëherë e dimë se kur do të sjellet ky ligj në Kuvend. Por, për mua me rëndësi është që vitit 2018 të ketë transformimin formal të FSK-së në Forcë të Armatosur. Siç e ka thënë edhe kryetari ynë, Kosova e ka Ushtrinë por jo në pjesën formale, në letra. Sido që të jetë edhe muaji prill edhe mars, e rëndësishme është që në vitin 2018 ky proces të përfundojë. Për mendimin tim, nëse kjo realizohet brenda vitit kjo është një e arritur e madhe sepse nuk është edhe lehtë duke e njoftur rolin e Listës Serbe në Qeverinë e Kosovës “, ka deklaruar ai.

I pyetur rreth kushtit të Listës Serbe për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, Shala ka thënë se Gjykata Kushtetuese e ka dhënë vendimin e tij dhe ai duhet të zbatohet.

“Marrëveshja është ekzistuese por ajo ka pësuar ndryshime në bazë të Kushtetutës andaj isntitucionet tona duhet ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk kemi çka vazhdojmë në këtë çështje. Askush nuk guxon të shkelë mbi parimet kushtetuese pa marrë parasysh a është kryeministër apo kushdo qoftë. Në bazë të vendimit ne duhet ta krijojmë atë Asociacion të Komunave Serbe”, ka thënë tutje ai.

Sa i përket Ushtrisë, Shala ka shtuar se kjo çështë nuk duhet të jetë në tavolinën e bisedimeve me Serbinë. Sipas tij, kjo temë i takon institucioneve të Kosovës dhe nuk duhet të dialogohet me Beogradin./Indeksonline/