20:05 / E Hënë, 22 Prill 2019 / indeksADMonline

Shansi i humbur për ndryshim

Shkruan: Shemsi Jashari

Dje pamë përfundimin e një gare të brendshme politike të zhvilluar në njërën nga partitë politike në Podujevë, PDK-së. E veçanta e kësaj gare dhe rezultatit të saj ishte se, aty përfundimisht u shua shpresa se PDK-ja, në Podujevë ka vullnet për të reformuar strukturat dhe për të vlerësuar ofertat e të rinjve që kanë kapacitet dhe dije intelektuale, që shohin përtej tezeve e dajve, përtej familjarizimit që po ngulfat këtë shtet e po e bënë të pajetueshëm.

Dje për çudi fituan pleqtë kundër të rinjve, të dështuarit në politikë ndaj atyre që politikën e shohin përtej interesave të ngushta personale. Dje në garën e brendshme të PDK-së, fituan inatet e të kaluarës para ofertës së të ardhmes. Dje fituan ata që humbjen e kanë të garantuar në çdo palë zgjedhje që do të vijnë.

Ishe e çuditshme që me gjithë skandalet dhe aferat korruptive, gjithashtu injorimit që qeveria aktuale e drejtuar nga Haradinaj me partner kryesor PDK-në e Kadri Veselit i ka bërë Llapit, duke mos ia dhënë asnjë pozitë në qeverinë gjigante, përsëri në garën e brendëshme kishte shumë interesim dhe aktivizim të rinjve për të qenë pjesë e strukturave të PDK-së, në Podujevë.

Ishte një djalë i ri që kishte mobilizuar të rinjtë, duke iu dhënë shpresë se megjithë defektet dhe skandalet nga strukturat e vjetra, problemi më së miri sanohet nga brenda strukturës duke marrë përgjegjësi politike.  Ishte një djalë i ri i shkolluar dhe edukuar shkëlqyeshëm, që kishte marr guximin të garoj si kandidat për kryetar të degës së PDK-së, duke ditur që brenda strukturës kishte mjaft analfabet me stazh të gjatë në politikën lokale, profiter të pasluftës që kanë mashtruar me dhjetëra herë elektoratin e tyre, pazargji që sa herë ka filluar të bëhej ndryshimi, kanë bërë pazare me kundërshtar politik, për të ruajtur bizneset e tyre, që kishte një strukturë të penzionerëve që duan të vdesin duke qenë drejtues të strukturave në llap, me të cilët ai duhet të përballej.

Ishte guxim i madh të marrësh barrën e reformës, në një vend ku politika bëhet në çajtore dhe ku janë disa që e shohin vetën si pronar të partisë dhe që vetë nuk garojnë por gjithmonë gjejnë servil të cilët i dirigjojnë për interesa të ngushta personale. Përderisa ky djalë i ri bënte një fushatë model, ana tjetër e strukturave të vjetra përdorte atë që din më së miri shpifjet, shantazhet, presionet, premtimet e rrejshme dhe çka jo tjetër vetëm që të vazhdonte agonin e krijuar tashmë që nga paslufta.

Ne fund për fatin e keq të Llapit, fitoi klasa e konsumuar politike e cila objektivin me të lartë e ka me iu thanë plakave(grave) te shpija se jam i madh në parti dhe asgjë tjetër. Pasi çfarë këta dinë e mundën të bëjnë e kemi parë tash e 19 vite,.

Në këtë situate, krejt çfarë të rinjtë duhet të bëjnë mendoj se duhet të mblidhen dhe të krijojnë një subjekt politik në të cilin me statut e ndalojnë që, asnjë anëtar mbi moshën 50 vjeçare nuk mund të marrë pozitë drejtuese ne parti, në mënyrë që të krijohet hapësirë për të rinjtë. Përndryshe të rinjtë vetëm mundën me bo argat dreqi apo me i marr çantat dhe me ia mësy Evropës.

Dështimi i reformës së PDK-së, në Llap, është një shans i humbur për qytetarët e llapit pasi tani partitë tjera mundë të ndihen shumë komod sepse edhe një kalimtar të rastit po ta kandidojnë për kryetar komune  lehtë do ta mundin  PDK-në e penzionerëve.

Sikur të ndodhte reforma në PDK edhe partitë tjera detyrimisht do të ndryshonin për ti bërë konkurrencë.

Pas eleminimit që ia bëri vetës PDK-ja, gara për pushtetin lokal në Podujevë në zgjedhjet e radhës mbetët mes LDK-së dhe LVV-së.