17:55 / E Mërkurë, 21 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Shefi i diplomacisë ruse arrin në Beograd, pritet të diskutohet për Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov ka arritur në Beograd.

Lavrov është pritur në aeroportin e Beogradit nga  homologu i tij serb, Ivica Daçiq dhe ambasadori, Aleksandar Cepurin.

Lavrov pritet që nesër të zhvillojë disa takime, ndër to me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministren Ana Brnabiq, transmeton Indeksonline.

Në agjendën e takimit me përfaqësues shtetërorë të Lavrov theksohet të jetë edhe situata në rajon dhe mbështetja e Rusisë në lidhje me Kosovën si dhe ajo e çështjes ende të pazgjidhur të statusit të qendrës humanitare ruse në Nish, që ishte raportuar të jetë e dyshuar si një qendër spiunazhi.

Ndryshe ditë më parë shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov ka thënë se termi normalizim i plotë i marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë është shpikur nga Bashkimit Evropian.

“Ne u pajtuam se BE-ja mori rolin e ndërmjetësuesit në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, mendoj se një dialog i tillë është i nevojshëm dhe se baza e saj duhet të jetë Rezoluta 1244. BE-ja kur i kërkoi Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të merrte autorizimin e ndërmjetësimit dhe mori një autorizim të tillë, rezoluta u miratua dhe ne shpresojmë shumë që Brukseli do të bëjë përpjekje shtesë që në ndonjë mënyrë të shkohet përpara. Ju përmendët termin “normalizimi i plotë i marrëdhënieve”. Ky term është shpikur nga vetë BE-ja, dhe deri më sot, për aq sa më kujtohet, Brukseli nuk ka shpjeguar se çfarë nënkupton me këtë term”, ka thënë Lavrov./Indeksonline/