Sherr mes vozitësit kosovar dhe punonjësit të sportelit në rrugën e Kombit
Sipas mediave shqiptare, prej kësaj të mërkure kush do të kalojë në Rrugën e Kombit duhet të paguajë. Kjo pasi që, sipas tyre, kompania kocensionare nisi aplikimin e pagesës për mjetet sipas tarifave të përcaktuara.
Siç raporton oranews.al, për të kaluar në Rrugën e Kombit tani paguhet nga 2.5 euro për motorë, në 5 euro për makinat e vogla dhe deri në 22.5 euro për kamionët e mëdhenj.
Taksa e qarkullimit në Rrugën e Kombit u vendos pas dhënies me koncension të mirëmbajtjes dhe përfundimit të saj.
Ndërkohë, mediat raportojnë se vendimi i qeverisë shqiptare është kundërshtuar nga banorët e Kukësit si dhe komuniteti i biznesit në Shqipëri dhe Kosovë.
Dhe, së paku në bazë të asaj që shihet në një video të publikuar nga mediat shqiptare, që në ditën e parë ka pasur një sherr ndërmjet një shoferi nga Kosova dhe punonjësit të sportelit për pagesë.
“Konflikti” i tyre ka ardhur, për shkak se automjetet që vijnë nga Kosova bëjnë pagesën në euro, ashtu siç është përcaktuar nga qeveria, ndërkohë që personeli i sportelit e kthen kusurin në lekë – gjë të cilën nuk e ka pranuar shoferi kosovar.
Për të parë në detaje se për çfarë bëhet fjalë, shihni videon më poshtë: