22:06 / E Shtunë, 27 Tetor 2018 / indeksADMonline

Sheshi i ri në Prishtinë, rrezik për bllokimin e komunikacionit dhe izolimit të qytetarëve

Testimet për sheshin e ri në kryeqytet rezultuan të jenë të dështuara, pasi që qarkullimi i automjeteve bllokoi edhe më shumë rrugët, gjë për të cilën tashmë njihet Prishtina. E në anën tjetër komuna po planifikon që puna kryesore dhe bizneset të fokusohen në rrugën B. Derisa me këtë nismë do t’i zbehet rëndësia hotelit ‘Grand’ me çka edhe identifikohet Prishtina. Por kjo paraqet edhe izolim për qytetarët, të cilët banojnë në atë pjesë, shkruan Indeksonline.

Edhe pse Komuna e Prishtinës nuk ka dalë me ndonjë plan konkret sa i përket sheshit të ri që pritet të jetë nga hotel ‘Grandi’ deri te ‘Katedralja’, ky po shihet të jetë një veprim i pamenduar mirë nga ana e tyre.

Derisa, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahirin ka thënë se testimet e tjera do të bëhen edhe gjatë ditëve të punës dhe se ky zgjerim i sheshit do të pasurohet edhe me hapësira rekreative, kjo nga njohësit e çështjeve të komunikacionit rrugor po shihet si diçka e rrezikshme.

‘Fillimisht duhet të bëhet një planifikim i duhur për qarkullimin e automjeteve, sepse bllokimi i kësaj rruge mund të shkaktojë vështirësi të mëdha në trafik. Me qëllim që testimet për mbylljen e rrugës ‘Xhorxh Bush’ të tregojnë efekt real, ato duhet të bëhen gjatë ditëve kur ka fluks të madh të automjeteve’, thotë Muhamed Kransiqi, ekspert i çështjeve të trafikut rrugor.

Krasniqi tutje shton se është tejet e rëndësishme që para fillimit të ndërtimit të këtij sheshi të parashihen edhe lëvizjet për rastet emergjente.

Se zgjerimi i sheshit përmes rrugës “Xhorxh Bush”, do shkaktojë tollovi në trafik e thotë edhe asamblistja e Kuvendit komunal të Prishtinës nga radhët e LDK-së, Fiknete Bejta.

Bejta  ka thënë se për këtë vendim komuna nuk ka marrë mendimin e opozitës, pasi që një vendim i tillë nuk ka ardhur fare në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Lidhur me zgjerimin e shëtitores së kryeqytetit deri tek Katedralja, qytetarët kanë mendime të ndryshme.

Iniciativën për zgjerimin e sheshit e ka konsideruar si krejtësisht të panevojshme, Mirsad Morina, i cili  ka thënë se nëse mbyllet kjo rrugë, do ketë telashe të shumta në trafik.

Ai ka edhe një këshillë për komunën e Prishtinës.

Qytetari Isuf Musliu ndonëse i gëzohet ndërtimit të këtij sheshi, ai si kërkesë ka që fillimisht të zgjidhet problemi i qarkullimit i automjeteve përmes rrugëve alternative.

Kthimin e rrugëve nga Katedralja deri tek hotel “Grand”, në shesh e ka mirëpritur Sahit Marashi, i cili tha se është mirë të ketë sa më shumë hapësira rekreative në kryeqytet.

Përveç tri shesheve ekzistuese që tani janë në Prishtinë, së fundmi në kryeqytet pas rinovimit për shfrytëzim u hap edhe sheshi “Adem Jashari”./Indeksonline/