16:09 / E Hënë, 16 Korrik 2018 / indeksADMonline

Shkurtohet rruga e shërimit të fëmijëve me sëmundje në zemër

Fëmijët me probleme në zemër nuk mund të trajtohen plotësisht në Kosovë. Ata detyrohen ose të kërkojnë mjete nga Ministria e Shëndetësisë për trajtim jashtë vendit, ose shërimin e tyre duhet ta mbulojnë familja me forca të veta.

Mazllum Belegu nga “Gift of Life International”, thotë se që nga viti 2009 kjo organizatë ka filluar të zgjasë dorën e ndihmës edhe për fëmijët kosovarë, duke e ditur se “Gift of Life International” operon në më shumë se 76 vende të botës.

“Prej vitit 2009 jemi rregullisht në kontakt me organizatën Gift of Life International dhe patëm fillu me dërgu një numër të vogël të fëmijëve, po që nga viti 2012 kemi fillu me mbajtjen e misionit ku ekipet kanë ardh dhe i kanë seleksionu fëmijët për operacion. Deri tash i kemi 104 fëmijë që janë dërgu prej nesh në mjekim”, rrëfen Belegu.

Sipas Belegut seleksionimi i fëmijëve fillimisht bëhet nga mjekët kosovarë e pastaj ai final bëhet nga mjekët amerikanë.

Nga ana tjetër Albana Krasniqi anëtare e bordit “Gift of Life International” me seli në New York, tha se ekipi i mjekëve po diagnostikon fëmijët, por planifikon të kthehet më vonë për të operuar ata që kanë nevojë.

“Misioni i këtij viti është që të diagnostikohen fëmijët që kanë nevojë për operim mirëpo planifikojmë që në Janar të vijmë me ekipe mjekësore dhe fëmijët të shërohen në Kosovë”, tregon Krasniqi.

Ajo thotë se është hera e parë që këta fëmijë do të shërohen në Kosovë përmes “Gift of Life International”, pasi që deri më tash për operim ata janë dërguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Itali, Izrael, Gjermani dhe në Angli.

Doktori amerikan Greg Tatum, ka treguar për KALLXO.com se do të operohen një numër i fëmijëve. Sipas tij është i dhimbshëm fakti që në Kosovë nuk ka mundësi për operim të këtyre fëmijëve.

“Fëmijët kanë qenë të zgjedhur nga kardiologët e vendit dhe të gjithë kanë probleme në zemër, sëmundjet e zemrës janë defektet më të mëdha të lindura në gjithë botën, prandaj po shohim shumë fëmijë që kanë probleme të dukshme me zemër dhe kanë nevojë ose për operim, ose për kategorizim që të rregullojnë punën e zemrës dhe të kenë një jetë normale”, tha ai.

Nga ana tjetër Mazllum Belegu, thotë se ai ende nuk po has në një bashkëpunim të mirëfilltë me mjekët e vendit. Ai thotë se në vend se t’i dërgohet një listë e fëmijëve nevojtarë ai ka pranuar një listë të gjatë të fëmijëve që ose janë jashtë vendit, ose në pritje te mbështetjes nga Ministria e Shëndetësisë.