09:59 / E Martë, 29 Maj 2018 / indeksADMonline

Shpërndahen me aeroplanë rreth 250,000 vaksina kundër tërbimit të kafshëve

Në Kosovë, për të gjashtën herë radhazi po nis fushata e vaksinimit kundër tërbimit, si pjesë e iniciativës rajonale të kontrollit të kësaj sëmundjeje në tërë Ballkanin Perëndimor.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës si përfituese e këtij projekti është drejtpërdrejtë përgjegjëse për monitorimin e zbatimit dhe vlerësimin e ndikimit në uljen e rrezikut të sëmundjes së tërbimit te kafshët.

Vaksinimi kundër tërbimit do të bëhet te dhelprat, pasi këto kafshë janë bartës kryesor të kësaj sëmundjeje me pasoja fatale që transmetohet edhe te qentë dhe te njeriu.

E mbështetur nga Bashkimi Evropian, kjo agjenci do të zbatojë një procedurë moderne që garanton vaksinimin e sigurt te dhelprat, kurse i gjithë procesi i shpërndarjes se vaksinës do të kryhet nga ajri dhe në mënyrë të kontrolluar.

Si pjesë e kësaj fushate vetëdijesimi, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka organizuar edhe prezantim të procesit të vaksinimit përmes fluturimeve demonstruese, ku kanë marrë pjesë përfaqësuesit e mediave dhe ata të zyrës së BE-së në Kosovë.

Sipas prezantimit, gjashtë aeroplanë nëpërmjet makinerive speciale dhe hartave të sakta do të shpërndajnë rreth 250,000 vaksina karrem, përgjatë një periudhë 3 ditore në tërë territorin e vendit, përjashtuar qendrat urbane dhe sipërfaqet ujore.

Kryeshefi i AVUK-ut, Valdet Gjinovci, ka theksuar se tërbimi është një sëmundje shumë e rrezikshme, e cila është fatale në rast se shfaqet te njerëzit.

“Brenda një periudhe të shkurtër, me mbështetjen e BE-së, do të arrihen rezultate të mira për kontrollin dhe luftimin e kësaj sëmundjeje në Kosovë”, ka thënë ai.

Gjinovci ka apeluar që gjatë kësaj periudhe apo më vonë, nëse banorët e zonave rurale gjejnë vaksina afër vendbanimeve, të mos i prekin ato, të mos i hapin apo të mos ua japin kafshëve të tyre, pasi mund të rrezikojnë shëndetin e tyre.

Ky proces do të bëhet dy herë në vit, në pranverë dhe vjeshtë, kurse për të arritur një imunizim të plotë të dhelprave nga tërbimi vlerësohet se është e nevojshme që vaksinime të tilla të bëhen për disa vite rresht.

Fushata e vaksinimit do të vazhdojë deri më 31 maj 2018.

Ky projekt arrin vlerën e 1 milion eurove dhe do të zbatohet duke filluar nga muaji maj i këtij viti, deri në tetor të vitit 2020.

Projekti do të zbatohet nga konsorciumi kosovaro-çek, N.T.SH Fauna dhe Bioveta.

Vaksinimi është kryer dhe do të kryhet në mënyrë të ngjashme në të gjitha vendet e Ballkanit.

Pas disa vitesh vaksinimi të rregullt, tashmë sëmundja është zhdukur pothuajse tërësisht në Kroaci dhe në disa vende të rajonit.