22:01 / E Shtunë, 23 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Shpërthen Marcelo: Ju kemi llastuar shumë, mendoni që duhet gjithmonë të fitojmë

Reali i Madridit mund të jetë kampioni i botës, por kjo nuk do të thotë së ata duhet të fitojnë çdo ndeshje, sipas zëvendëskapitenit të madrilenëve.

Gjatë intervistës pas humbjes në Bernabeu, braziliani tha se suksesi i Realit në vitet e fundit ka qenë përtej pritshmërisë.

“Ju kemi llastuar shumë dhe tani mendoni që duhet gjithmonë vetëm të fitojmë”, tha Marcelo, edhe pse nuk e bëri të qartë se kujt po i drejtohej, tifozëve të vet, gazetarëve apo të dyve bashkë.

“La Liga është kampionati më i vështirë në botë dhe është i vështirë për tu fituar. Kështu është sporti, njëherë fiton dhe njëherë humb.”

Ndërsa për shpresat e Realit për të fituar përsëri kampionatin pas humbjes së sotme, ai tha se nuk ka mbaruar ende asgjë.

“Ende nuk e kemi humbur. Unë besoj te puna dhe jo te fati. Në pjesën e parë luajtëm mirë, por më pas ndodhën disa episode që na penalizuan. Është e vështirë të luash ndaj Barçës me 11 lojtarë, imagjino pastaj me 10”.