75 Mall Live Search
23:06 / E Hënë, 04 Qershor 2018 / indeksADMonline

Për një vit rreth 1500 të arrestuar për substanca narkotike

Konsumimi i drogës ende mbetet në nivel të lartë. Për pesë muaj të këtij viti janë regjistruar 577 përdorues të substancave narkotike.

Ndërsa, bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës për Indeksonline në vitin 2017 janë regjistruar 883 përdorues të substancave narkotike prej tyre 805 përdorues të marihuanës, 12 heroinë dhe 16 kokainë.

Por, këto statistika janë përfshirë vetëm ata që janë regjistruar në polici dhe jo ata të cilët vazhdojnë në mënyrë ilegale të jenë konsumues të këtyre substancave.

“Regjistrimi behet ne mënyrë vullnetare dhe ky numër nuk paraqet gjendjen e përdoruesve në tërë vendin, por vetëm përdoruesit vullnetar të cilët janë regjistruar në Polici , gjatë rasteve të evidentuara nga Policia. Përdoruesit e regjistruar nuk janë përdorues të rinj por përdorues të cilët e kanë përdorur drogën edhe me herët apo edhe prej atyre te cilët nuk janë deklaruar si përdorues të rregullt”, thuhet në përgjigjën e zyrës për informim në PK.

Për vitin 2017, Policia e Kosovës ka realizuar 788 operacione në lidhjen me rastet e substancave narkotike, ndërsa ka arrestuar mbi 1 mijë persona.

“Në fushën e luftimit nga Policia e Kosovës gjatë vitit 2017 janë realizuar 788 operacione, janë iniciuar 1368 raste, janë arrestuar 1426 persona të dyshuar, janë konfiskuar 1908 kg e 175g mariuhanë, 712 gr kokainë, 391g heroinë dhe prova të tjera materiale. Kujdes i shtuar i është kushtuar bashkëpunimit si vendor ashtu edhe ndërkombëtar me ç ‘rast janë realizuar hetime dhe operacione të përbashkëta në të dy nivelet”, thuhet në përgjigje.

Sipas statistikave të cilat posedon policia mosha te të cilat më së shumti frekuenton droga është 21 deri në 35 vjet.

Mirëpo, këto substanca shumica janë të destinuar për tregun e jashtëm, ku Kosova përdorët si vend tranzit.

Ndërsa, kultivimi sipas policisë nuk është shumë i theksuar në Kosovë, raporton Indeksonline.

“Kultivimi nuk është shumë i theksuar në Kosovë. Mbjellja bëhet kryesisht nga përdoruesit për përdorim personal në sasi të vogla, me ndonjë rast ku është tentuar të kultivohet në sasi më të madhe por ekzistojnë edhe vende ku kanabisi mbin vetvetiu ( bime të egra), vende të cilat policia i ka identifikuar dhe bimët janë shkatërruar në fazën e hershme. Për parandalimin e kultivimit policia ka realizuar patrullime me helikopter ne bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in, kontrollin e lokacioneve të dyshuara me dronë, dhe shkëmbim të informatave në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët dhe ministrinë (MBPZHR). Nga droga e cila hyn nga vendet tjera, në bazë të statistikave rreth 10% është e destinuar për konsumim vendor ndërsa rreth 90% për tregun e jashtëm”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është angazhuar si në fushën e parandalimit ashtu edhe ne fushën operative-hetimore ( luftimit) të kësaj dukurie.
Në fushën e parandalimit ka hartuar Urdhrin Operativ “ Stop drogës në shkolla“ me ç ‘rast janë realizuar aktivitete për parandalimin dhe luftimin e dukurisë së drogës në shkolla dhe rreth tyre, janë realizuar kontakte me prindër, takime me Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi (KKSB), forume rinore, plane operative ne pikat kufitare dhe në Vijën e Gjelbër dhe aktivitete të tjera në bashkëpunim me organizatat relevante qeveritare dhe OJQ./Indeksonline/