09:24 / E Shtunë, 23 Mars 2019 / indeksADMonline

Shqipëria rrezikon të dënohet nga UEFA

Shqipëria rrezikon një dënim me para ose dënim të fushës pa spektatorë pas hedhjes së një “lumi” sendesh të forta në fushë në ndeshjen e djeshme.

Ka qenë një episod i shëmtuar në “Loro Boriçi” pas golit të dytë të Turqisë, shënuar nga Hakan Çalhanoglu në minutën e 55-të. Kjo mund të kushtojë shtrenjtë për Federatën Shqiptare të Futbollit sa i përket ndeshjes së radhës që kuqezinjtë do të luajnë në shtëpi për eliminatoret e Europianit 2020.

Delegati i ndeshjes me siguri ka mbajtur shënim gjithçka dje, aq sa edhe njoftimi në stadium pas urdhrit të drejtuesve të FSHF-së nuk mjaftoi në ndërgjegjësimin e tifozërisë.

“Lutemi të mos hidhni sende në fushë, pasi do të penalizohemi”, ishte thirrja nga zyrtarët e stadiumit pas golit të dytë të Turqisë, por nuk u përfill pasi shishe të llojeve të ndryshme pushtuan një pjesë të fushës.