12:14 / E Martë, 26 Janar 2021 / B O

Shqiptarët në ankthin e regjistrimit: Zaev përplaset me opozitën shqiptare për nënshtetësinë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka kundërshtuar propozimin e opozitës shqiptare të Zijadin Selës për të miratuar ligjin që jep shtetësinë në mënyrë të shpejtë për shqiptarët.

Aleanca Shqiptare i është përgjigjur kryeministrit Zoran Zaev, duke i cilësuar të papranueshme argumentet e tij. Koordinatori i grupit parlamentar të ASH-AAA-së, Skender Rexhepi, tha se marrja e shtetësisë nuk është në dëm të askujt. Rexhepi ftoi partitë në pushtet që të mbështesin Ligjin e opozitës, ndërsa për ta ndryshuar atë të ndërhyjnë me amendamente.

“Nëse ata mund t`i gjejnë tre dëshmitarë të rrejshëm të cilët do të japin deklarata publike me përgjegjësi morale, materiale dhe penale për nënshtetësinë e ndonjë aplikuesit tjetër, atëherë imagjinoni se sa lehtë ato kanë mundur ta gjejnë një dëshmitarë të fshehur, i koduar, i cili i ka shkatërruar jetë sa e sa njerëzve nëpër gjykata”, tha Skënder Rexhepi, duke ju referuar propozimit të ligjit të qeverisë.

Presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski, ka dekretuar ligjin për regjistrimin, i cili i hap rrugë një censusi në muajin prill.

Për këtë çështje, u prononcua edhe ambasadorja amerikane Kate Byrnes. Ajo shprehet e kënaqur për miratimin e Ligjit në Kuvend.

“Ky është një hap i rëndësishëm. Maqedonia e Veriut nuk ka pasur konsensus pothuajse për 20 vjet dhe kjo është reflektuar në procesin e hartimit të politikave, sepse të dhënat e sakta mbi popullatën janë pjesë e rëndësishme për planifikimin e të ardhmes”, tha Byrnes.

Prej vitit 1992 dhe deri më sot shqiptarët nuk kanë pranuar të marrin pjesë në census pasi nuk ka pranuar kushtet e vëna nga Shkupi. Ndërkaq një numër i konsiderueshëm shqiptarësh në Maqedoni nuk kanë shtetësi si pasojë e kushteve diskriminuese të ligjit të deritanishëm.