14:39 / E Mërkurë, 11 Prill 2018 / indeksADMonline

Shqiptari, hero në autostradën zvicerane, shpëton jetë

Shqiptari Bernard Quni, mëngjesin e së mërkurës ka përjetuar skena si në një film Hollywoodi në një autostradë në Zvicër. Ai ka parë një makinë, e cila po nxirrte shkëndija nga pjesa e poshtme. “Ishte si në një film aksioni”, pohon Bernard Quni për “20 Minuten”. Shqiptari ishte nisur për në punë, kur në afërsi të tunelit Gubrist dëgjoi një zhurmë dhe pa një makinë që nxirrte shkëndija nga poshtë.

Rastin për Albinfo.ch, e ka konfirmuar edhe vetë Bernard Quni. Bernardit menjëherë i erdhi mendimi se duhet të ndihmojë.

“Iu afrova makinës së bardhë dhe tentova ta lajmëroj shoferin se duhej të ndalonte”. Por, shoferi nuk ka reaguar fare dhe ka vazhduar rrugën me gomë të shkatërruar dhe me bagazhin në zjarr.

“Dukej vërtetë shumë keq dhe unë u mundova ta njoftoj se duhej të ndalonte”. Më në fund, një kamion në afërsi ka mundur ta ndalojë makinën e bardhë.

Bernardi menjëherë ka zbritur dhe i është afruar shoferit. “Ishte një person i moshuar dhe dukej si i hutuar”, – tregoi ai. Shqiptari ia mori çelësin dhe e zhvendosi veturën në korsinë e emergjencës. Në të njëjtën kohë arriti edhe Policia.

Policia e Zyrihut dha informacion për ngjarjen duke nënvizuar se nuk pati persona të lënduar. Hetimet e mëtejshme janë në vazhdim e sipër.