09:13 / E Enjte, 26 Korrik 2018 / indeksADMonline

Shqiptaro-amerikanët të shqetësuar për marrëdhëniet e SHBA-së me aleatë, i shkruajnë Trumpit

Disa përfaqësues të shqiptarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kanë shprehur shqetësim të thellë presidentit, Donald Trump rreth një keqësimi të mundshëm të marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe aleatëve evropianë.

Kjo letër e nënshkruar nga anëtari i Këshillit të Qytetit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj dhe përfaqësues të 10 organizatave shqiptaro-amerikane, i referohet komenteve të bëra në një intervistë të Trumpit me komentatorin e kanalit Fox News, Carson Tucker.

Gjatë kësaj interviste, Trump kishte vënë në pikëpyetje nëse SHBA do t’i përmbaheshin nenit 5 të Traktatit të NATO-s për mbrojtjen e ndërsjellë dhe ku u përmendën Mali i Zi dhe Shqipëria, transmeton Indeksonline.

Ndër tjerash në letër thuhet se përgjigja e Trumpit në atë intervistë flet për një moskuptim thelbësor të historisë së rajonit dhe të rolit të paçmueshëm të Amerikës në ruajtjen e paqes.

“Nëse flet me një shqiptar, në Amerikë apo jashtë saj, do të vësh re një ndjenjë të thellë dashurie dhe respekti për Shtetet e Bashkuara dhe kuptimin që ka pasur roli i tyre si udhëheqëse e botës së lirë. Marrëveshja për mbrojtjen kolektive, ka bërë që bota të mos gjendet në prag të një lufte tjetër botërore”, thuhet në letër, në të cilën tutje shprehet keqardhje që komentet për NATO-n dhe për njerëzit “shumë agresivë” të Malit të Zi e vënë në pikëpyetje udhëheqjen morale të Amerikës, në një kohë kur, bota ka nevojë më shumë se kurrë për të.

Komentet e Trumpit u komentuan edhe të mërkurën gjatë seancës së Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, i cili nuk u vuri rëndësi komenteve të shprehura në intervistë, duke thënë se politika e Presidentit Trump ka qenë e qartë jashtë çdo dyshimi.

Presidenti Trump i ka kritikuar shpesh anëtarët e tjerë të NATO-s rreth kontributit të tyre financiar për aleancën, duke thënë se SHBA mbajnë pjesën më të madhe të barrës. /Indeksonline/

Temat: