15:23 / E Premte, 04 Maj 2018 / indeksADMonline

“Shtëpia e Bardhë” e Komunës së Klinës bëhet për faqe të zezë (Video/Foto)

“Pa luftën çlirimtare të Kosovës nuk do të kishim liri dhe pa lirinë e Kosovës nuk do të kishim vepra të tilla madhështore. Përgëzoj kryetarin e komunës Bashota, dhe uroj të gjithë qytetarët e Klinës për këtë vepër madhështore, që është bërë falë qeverisjes së mirë të kryetarit Sokol Bashota” – Pati thënë kryeministri Thaçi më 27  nëntor të vitit 2013 ku me shumë pompozitet ishte proklamuar investimi mbi dy milionë euro në ndërtimin e objektit të Komunës së Klinës ose siç njihet ndryshe edhe si “Shtëpia e Bardhë”. Por ende pa u bërë pesë  vite që nga ajo kohë “Shtëpisë së Bardhë” i dalin të gjitha zezat dhe të metat e këtij projekti “madhështorë” siç e quanin zyrtarët e Shtetit të Kosovës.

Ndërtesa që nga larg ngjanë me  “Shtëpinë e Bardhë” të SHBA-së sapo t’i afrohesh vërehen plasaritjet gjithandej ndërtesës nëpër muret e saj të mykura nga lagështia.

Fasada e tavanit të ndërtesës pothuajse ka rënë, madje ajo po bëhet rrezik potencial edhe për punëtorët dhe qytetarët e komunës së Klinës.

Gjendja brenda ndërtesës së komunës vërtetë është e mjerueshme, sapo futesh në korridoret e saj ajo kundërmon një erë të rëndë myku e lagështie, pllakat e tavaneve kanë rënë gjithandej si pasojë e rrjedhës së ujit nga çatia duke kaluar nëpër kate e deri në bodrum.

Pllakat e gipsit kanë rënë edhe para zyrës së kryetarit ku janë të vendosura fotografitë e të gjithë kryetarëve të komunës duke përfshirë edhe atë të ish kryetarit Sokol Bashota gjatë mandatit të së cilit ishte projektuar dhe ndërtuar kjo ndërtesë.

Lorenc Marleku, drejtor i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në legjislaturën e re na shoqëron gjatë gjithë kohës duke na treguar prishjet dhe dëmtimet brenda objektit si pasojë e punimeve të bëra shkel e shko dhe pa kurrfarë mbikëqyrje dhe garancioni.

“Kjo është salla e konferencave siç po shihet kjo është në gjendje shumë të keqe dhe për momentin e pashfrytëzueshme, qysh me fillim këtu ka hy uji nga terasa sepse i kanë bërë rënje  brenda në vend që rënja e  ujit të ishte jashtë, pra këtu gjendja është më e keqe sepse është dëmtuar gjithë dyshemeja dhe muret anësore janë siç edhe po  shihni”, thotë për Indeksonline Lorenc Marleku.

Në bodrumin e ndërtesës gjendja është alarmante, aty është e vendosur edhe depoja e arkivit ku një pjesë e madhe e arkivit kadastral është e dëmtuar nga uji i cili rrjedhë nga çatia e dëmtuar e ndërtesës.

“Këtu kemi të gjithë arkivin e komunës gjendja këtu siç po e shihni është shumë e keqe, këtu kur bie shi mbushet i gjithë podrumi me ujë dhe kanalizimi nuk funksionon sepse puseta ndodhet mbi nivelin e bodrumit kështu e kanë projektuar në atë kohë”, shprehet i habitur Marleku.

Fajin për këtë gjendje të mjerë të ndërtesës së Komunës së Klinës drejtori i urbanizmit  ja faturon qeverisjes së kaluar. Megjithëse janë investuar mbi dy milionë euro punimet janë pranuar edhe pse nuk i kanë plotësuar kriteret dhe pa kurrfarë garancioni.

Komuna e Klinës që nga  zgjedhjet e fundit udhëhiqet nga kryetari i ri Zenun Elezi nga AAK-ja. Qeverisja e re ka përgatitur një projekt emergjent për të sanuar dëmet që i janë shkaktuar ndërtesës me një fond prej 60 mijë euro, ku 30 mijë janë ndarë nga Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal dhe pjesa tjetër nga Komuna. Kreu i urbanizmit thotë se projekti është në fazën e tenderimit dhe brenda pak ditësh do të fillojnë punimet për riparimin e “Shtëpisë së Bardhë”. Jeton Sopa /Indeksonline/