12:25 / E Premte, 23 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Shteti 100 % me Kryeministër Haradinajn

Kur Kryeministri e ngriti taksën në 10 përqind për produkte dhe prodhime të Republikës së Serbisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës, të gjithë e morën me shaka.

Madje nuk vonoi të reagonte as Bashkimi Evropian e as zonja që s’po mund ta imitojë dot baroneshën Eshton, znj.Federika Mogherini.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri doli me një deklaratë e cila bëri disa gabime kapitale:

E para, zonja në fjalë u bë zëdhënëses e CEFTA-s pa pasur autorizim fare. Në këtë rrugë u deklarua edhe komisari Johanes Hahn. Që të dy bënë ndërhyrje flagrante dhe u vetdiferencuan me naivitetin që treguan;

E dyta, as zonja Mogherini e as z. Han nuk kanë ndonjë respekt apo peshë te klasa politike e Kosovës. Madje ata u akuzuan për racizëm me faktin se e kanë izoluar qytetarët e Kosovës;

E treta, jo vetëm dy përfaqësuesit e lartpërmendur, por e gjithë BE-ja bashkë nuk ka ndonjë mekanizëm që do të mund ta kërcënonte apo shantazhonte klasën politike në Kosovë.

BE-ja ishte me kompetenca ekzekutive në Kosovë në gjykatë, në prokurori, në polici e u mor me gjëra banale dhe dha një shembull të keq të funksionimit të organit të drejtësisë në të gjitha nivelet.

Mirëpo nga rrjedhja e ngjarjeve doli edhe e vërteta në shesh se Kryeministri Haradinaj e kishte mbështetjen e qindpërqind të Kryetarit të Koalicionit aktual, të z.Veseli. E kjo do të thotë se ekzekutivi aktual ka marrë mbi supe për herë të mbarë një barrë që nuk e ka pasur kurrë gjer më sot nga paslufta.

Duke i parë deklaratat e zëvendëskryeministrit Hoxhaj se nuk do ta lejojmë Serbinë që të bëjë agresion diplomatik ndaj Republikës së Kosovës dhe nuk do të jetë Kosova koloni ekonomike e Serbisë, duket se ky ekzekutivi i kritikuar aq shumë po merr hapat që asnjë qeveri e gjërtashme nuk ka guxuar as t’i ëndërroj.

Se sa do të zgjasë ky trend mbetet të shihet dhe nuk është i drejt paragjykimi në këtë rast./Indeksonline/