13:39 / E Mërkurë, 14 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Simbolika e Protokollit të Parisit

Kolumna për Indeksonline (2)
Shkruan:Shkëlzen Maliqi

Protokoli i shënimit të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore në Paris, ka bërë diçka të pazakontë duke e vendosur Presidentin Hashim Thaçi shumë pranë liderëve më të spikatur botëror Trump, Macron, Merkel dhe Putin. Për më shumë, Thaçi me ta pati edhe takime dhe shkëmbime mendimesh. Më befasues ka qenë takimi me presidentin Putinin, si kontakt i parë i nivelit të lart mes Kosovës dhe Rusisë.

Kjo gafë e protokolit françez rreth Presidentit të Kosovës mbase as nuk është vërejtur në suazat globale, por pati jehonë të jashtëzakonshme në Kosovë dhe Serbi, sidomos te shteti fqinj nga ku u dëgjuan reagimet tejet zhgënjyese dhe të hidhura për shkas se, për kontrast, liderët tjerë të rajonit, përfshirë Presidentin e Serbisë Vuçiq, nuk u favorizuan aspak si Thaçi. Kjo nuk ka mundur të ndodhë pa paramendim dhe qëllim të caktuar të shtetit nikoqir dhe as pa dakordimin, qoftë edhe të heshtur, të fytyrave në rreshtin e parë të ulëseve mbrapa të cilëve shquhej fytyra e Thaçit.

Privilegji për presidentin tonë e ngazëlloi Kosovën, edhe pse nuk munguan as komentet ironike e denigruese të kundërshtarëve politikë të tij. Albin Kurti p.sh. u kujtua ta thotë se Thaçi mund të bisedojë me Putinin vetëm për të kërkuar azil në Rusi.

Nga ana tjetër është e kuptueshme që shkalla e zhgënjimit në Serbi ka qenë maksimale. Kështu, deri sa në Kosovë dominonte shpresa dhe një lloj triumfalizmi paraprak, në Serbi përhapej defetizmi. Reagimet megjithatë ishin teprime sepse ky imazh protokolar i takon vetëm rendit simbolik të pritjeve. Në realitet mund të dështojë.
Gjithësesi, Kosova ka të drejtë të lumturohet me nderimin simbolik që i është bërë presidentit Thaçi. Për më shumë, edhe ata që mbajnë mërri ndaj Thaçit duke e quajtur “president jolegjitim” – nuk mund të shtiren si indiferent ndaj kësaj simbolike. Njëfarëdore, ky imazh edhe është prodhuar për ti heshtur dhe ndalur kundërshtarët e tij të brendshëm.

Duke mos u lëshuar në spekulime të tepruara, po ndalem te ky ndikim i supozuar që shpjegon arsyen pse protokoli françez nderoi Presidentin Thaçi dhe Kosovën.
Konteksti i festimit të paqes u shfrytëzua për aktualizimin e një pike neuralgjike për sigurinë dhe paqen në rendin e sotëm ndërkombëtarë. Evropa dhe SHBA-të rikonfirmuan interesin që të mbyllet me sukses dialogu Kosovë – Serbi si parakusht për të krijuar një arkitekturë më stabile të sigurisë së rajonit në tërësi. Për më shumë, zgjidhja e kontestit rreth Kosovës duhet të zgjidhet sa më parë. Prezenca e presidentit të Rusisë Putin në kuadrin simbolik të protokolit françes e bëri skenarin më të plotë, sepse edhe nga ana e Rusisë u dëgjua pajtimi rreth formullës që po përsëritet vazhdimisht e një “marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe obliguse Kosovë – Serbi”. Nëse dy vendet e gjejnë pajtimin, as superfuqitë nuk do ta kundërshtojnë të.

Pse protokoli i Parisit u fokusua te Thaçi besoj se lidhet me dëgimin e porosisë se ai është lojtar kredibil në dialogun që po zhvillohet. Është një ndihmesë për fuqizimin e tij në skenën e brendshme të Kosovës, ku Thaçi kohëve të fundit po e kontestohet jo vetëm nga opozita por edhe nga një pjesë e partive që janë në qeverisje.
Ndërkaq pyetja pse edhe partneri i tij ne dialog Vuçich nuk është trajtuar njejtë, mbase lidhet me faktin se ai e ka pushtetin me stabil duke e kontrolluar 2/3 e Kuvendit të Serbisë.

Fuqizimi i imazhit dhe i rëndësië së Hashim Thaçit për procesin në këtë moment duket i domosdoshëm në mënyrë që të provohet realizmi projektit që e kanë vënë në agjend fuqitë e mëdha: nxjerrja e Kosovës nga çosokaku sa më parë, deri në pranverë.

Kur e them këtë nuk mendoj se skenari i dëshirur do të realizohet deri në pranëverë të vitit 2019. Ka mjaft pengesa që mund ta ngadalësojnë ose prishin procesin, madje edhe ndër lojtarët kryesor që ishin protagonistë pë ndërtimin e imazhit simbolik në Paris. E kam fjalën për hendekun mes Perëndimit dhe Rusisë. E dimë se Rusia e Putinit i është nënshtruar sanksioneve të Perëndimit, dhe se nëse Putini mbetet kokëfortë, ato mund të vazhdojnë duke bllokuar zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Në Paris sikur nuk u vërejt aspak regjimi i sanksioneve. Përkundrazi, kishte një si detant, që e përforcojë edhe deklarata e Londrës që hapte rrugën e përmirësimit të marrëdhënieve me Moskën. A e bën kjo më të besueshme supozimin se Kosova mund të jetë pjesë e “pajtimit” të Perëndimit me Putinin?
Në fund, i lejoj vetes që të jap një këshillë korrit të politikanëve vendor anti-Thaçi, se do të duhej të ishin më të kujdesshëm në konsideratat ndaj lojës gjeostrategjike ku Kosova sërish, si në vitin 1999 dhe 2004-2007, po rikthehet në fokusin e fuqive të mëdha me gjasat që të sigurojë synimet e saja strategjike.