18:20 / E Premte, 21 Tetor 2022 / A. M.

Situata në të cilën po kalon Kosova kërkon bashkëpunim, mbrojtje të sovranitetit…

Nga Hafiz Gagica

SITUATA NËPËR TË CILËN PO KALON KOSOVA KËRKON MATURI POLITIKE, BASHKËKOORDINIM INSTUTUCIONAL, MBROJTJE TË SOVRANITETIT TERRITORIAL, VENDOSMËRI POLITIKE SI DHE RUAJTJE TË MIQËSISË ME SHBA-të DHE PARTNERËT TANË EVROPIAN !

 Lufta frontale me Serbinë, siç e dimë, ka mbarue me 10 qershor 1999, ndërsa ajo politike po vazhdon sot e kësaj dite, dhe e cila nuk do përfundon edhe për një kohë të gjatë, sepse gjenerata të tëra serbe janë helmue me frymën e armiqësisë dhe urrejtjeve ndaj shqiptarëve.

Fatkeqësisht klasa politike shqiptare, siç duket shumë pak ka mësue nga agresiviteti politik dhe ushtarak i fqinjit tonë verior. Përkundrazi, në Kosovë sa vjen e rritet tensioni mes forcave politike, kjo frymë mos tolerance e ka përcjellë skenën politike në Kosovë edhe gjatë kohës së transicionit politik dhe shtet-ndërtues në dy dekadat e fundit.

Një pjesë e madhe e popullit dhe veprimtarëve patriotik kanë  besue se një ditë do të këndellemi karshi agresorit verior, Serbisë, që si popull dhe shoqëri do veprojmë të koordinuar politikisht, por edhe si shtet që ka për obligim ta çoj në vend amanetin e të parëve tanë, luftës për liri dhe pavarësi Kosovës, ndaj heronjve dhe të zhdukurve tanë të cilët edhe pas 24 viteve akoma nuk po i gjejmë dot. Andaj, brezit të lindur dhe rritur në liri, i cili po largohet çdo ditë nga Kosova, duke e marrë rrugën e emigrimit, duhet t’i dëgjon thirrjet e  nënave që mos ta lëshojnë atdheun e tyre!

Ndërsa, udhëheqësit shtetëror të Kosovës duhet t’i thërrasin serish miqtë tanë që na u gjeten pranë në ditët më të vështira që të na ndihmojnë për t’i ulur bashkë pozitë-opozitë që me qëndrime të unifikuara t’i qasen çështjeve, sidomos dialogut dhe arritjes përfundimtare të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë, me njohje të dy anshme.

Aktualiteti gjeopolitik në Ballkanin perëndimor dhe në Evrpë nuk lejon që institucionet e Kosovës dhe liderët e partive opozitare të sillen me komoditet sikur nuk po ndodhë asgjë afër nesh, me mendjemadhësi, arrogancë dhe pa përgjegjësi politike dhe atdhetare, duke bërë garë absurde politike se cila parti e ka primatin e arritjes së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës në dëm të interesave jetike të popullit dhe të ardhmes së tij në rrugën e integrimeve euro-atlantike!

Prandaj, të gjithë së bashku duhet ta prekin kokën dhe në këto çaste delikate politike të mendojnë më racionalisht, se ku ndodhet vendi ynë dhe se pse akoma nuk po arrin ta merr veten!?

Jo gjithçka duhet të jetë marrëveshja me fqinjin tonë, ndonëse kjo është bërë një kusht nga ana e ndërkombëtarëve, mbase dihet se interes i yni nacional është njohja reciproke me Serbinë, por para së gjithash, si shtet dhe shoqëri ne duhet të vetëdijesohemi se zhvillimi ekonomik i vendit, ndalja e emigrimit të rinisë dhe rikthimin i mërgimtarëve që duan të jetojnë dhe investojnë në atdheun e tyre, është po aq i rëndësishëm sa çdo sukses tjetër në politikën e jashtme të vendit tonë.