18:31 / E Shtunë, 19 Maj 2018 / indeksADMonline

S’ka më ushtrues detyre në burgjet e Kosovës

Shumica e burgjeve të Kosovës tash e një kohë të gjatë po funksionojnë pa drejtorë, por vetëm me ushtrues detyre.  Por, ligjërisht pozitën e ushtruesit të detyrës, një person nuk mund ta mbaj më gjatë se tre muaj.

Sipas burimeve të Indeksonline brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës, tanimë kjo gjendje do të ndryshoj.

“Në Shërbimin Korrektues të Kosovës nga java e ardhshme nuk do të ketë më ushtrues detyre në të gjitha pozitat ku deri tash ka pasur mungesë të drejtorëve”, thonë burimet.

Por, emërimi i drejtorëve nëpër qendra korrektuese do të bëhet pas miratimit të ligjit të ri në Kuvendin e Kosovës.

Gjendjen në burgje të Kosovës e vlerëson të qetë dhe të mirë, Behgjet Shala, drejtor i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ).

Ai në një prononcim për Indeksonline ka theksuar se krahasuar me vendet e rajonit, Kosova qëndron më mirë.

“Nëse kemi parasysh kohën sa gjatë kanë funksionuar me ushtrues detyre burgjet,  si dhe zgjedhjen e Nehat Thaçit si drejtor të burgjeve, gjendja nuk është aq e keqe gjithmonë duke bërë një krahasim me vendet e rajonit”, ka thënë Shala.

Ai ka bërë të ditur se para disa ditësh, ka pasur një takim me drejtorin e ri, Thaçin, i cili i ka treguar prioritetet e tij.

“Ne jemi takuar me drejtorin e ri para pesë ditësh dhe ai e ka prioritet që të zgjidh këtë problem që e kanë me ushtrues detyre , sepse kjo gjë është një pengesë”, ka shtuar Shala.

Sipas tij, ushtrimin e detyrës nuk mundet dikush ta praktikoj për një kohë të gjatë, por duke pasur parasysh problemet e natyrës ekonomike, sociale, politike, të sigurisë etj, Kosova ka funksionuar mirë edhe me UD.

Kujtojmë se Nehat Thaçi para disa ditësh është emëruar drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës. /Indeksonline/

Temat: