12:17 / E Martë, 30 Tetor 2018 / indeksADMonline

Smart pritet të shuhet

Fundi i gjeneratës aktuale të modelit Smart mund të thotë dhe fundin e këtij brendi të specializuar për prodhimin e veturave të vogla për qytet.

Gjenerata e tretë aktuale e Smart-it është krijuar si produkt i bashkëpunimit të kompanisë Renault dhe Daimler, kështu që në këtë platformë mekanike prodhohen modele të markës Smart dhe Renault Twingo. Sipas Automobile Magazine, e ardhmja e brendit Smart është e paqartë, pasi Renault pas përfundimit të ciklit të prodhimit të Twingo do të tërhiqet nga partneriteti.

Si rezultat i kësaj, Mercedes do të shuajë markën Smart kah gjysma e dekadës së ardhshme.

I njëjti burim thekson se nën udhëheqjen e njeriut të parë të kompanisë, Ole Kalenijus, i cili pozitën e drejtorit të Daimlerit do ta marrë në fillim të vitit 2019, prodhuesi gjerman do të vendosë që të fillojë të krijojë një automobil të vogël urban me shenjën e Mercedesit.

Kështu, në vend të emblemës së Smart-it, rivali i ardhshëm premium i modeleve sikurse janë Audi A1 dhe MINI do të ketë shenjën e “yllit me tre cepa”.

Mercedes, me sa duket, tashmë po shikon mundësinë e prodhimit të veturave të vogla urbane, të cilat aktualisht janë nën shenjën U-Class.

Nëse ky plan do të realizohet, Mercedes në kuadër të këtij segmenti të ri automobilistik do të prodhojë më shumë modele, duke përfshirë veturat për udhëtarë hatchback me 3 dhe 5 dyer ngjashëm me rivalin nga MINI, por edhe furgonë të vegjël. /IndeksOnline/

Temat: