23:54 / E Hënë, 15 Prill 2019

Profesori kosovar nga Parisi: Franca di t’ia rikthejë dritën Zonjës, shpirti i saj mbetet me plagë

Mijëra qytetarë po përcjellin nga afër zhvillimet tek katedralja “Notre Dame”, në Paris e cila është përfshirë nga flakët në orët e pasdites së sotme.

Nga djegja e Katedralës është shprehur edhe profesori kosovar, Nezir Kraki.

“Çfarë trishtimi! Asnjë luftë, asnjë ndodhi nuk ia kishte shu dritat kësaj Zonje. Shtatë shekuj u ndiçua me pishtarë, një shekull e gjysmë me rrymen moderne”, ka shkruar ai mes tjerash në llogarinë e tij në Facebook, transmeton Indeksonline.

Shkrimi i tij i plotë në Facebook:

Kambanat e Notre Dame nuk dëgjohen më. Dritat anësore që kalimtarit ia mundësonin panoramen e skultuar ndër shekuj në fasadat e saj sonte nuk ndriçojnë. Parisienët e turistët të pafuqishëm e shikojnë Zonjën e Parisit të mbuluar nga tymi dhe errësira. Disa i këndojnë, disa tjerë e vajtojnë, të gjithë e admirojnë. Loti është krejt i natyrshëm sonte.

Nuk mund të pëshkruhet pesha e këtij monumenti në historinë, kulturën, kujtesën dhe zemrën e çdo parisieni, çdo francezi, çdo evropiani e çdo botërori. Gjithmonë ka qenë më shumë se katedrale, më shumë se monument, më shumë se vend lutjesh. Ka qenë zemra dhe fryma e këtij qyteti, e këtij vendi.

Ka qenë muzë kryeveprash botërore. Me shekuj inspiroi kolosë të artit e letërsisë. Victor Hugo sonte sigurisht rrotullohet në Panteonin e të mëdhenjëve nga era e djegues që Zonja e tij frymëzuese lëshon.

Çfarë trishtimi!

Asnjë luftë, asnjë ndodhi nuk ia kishte shu dritat kësaj Zonje. Shtatë shekuj u ndiçua me pishtarë, një shekull e gjysmë me rrymen moderne.

Franca e krijoi. Veç Franca di t’ia rikthejë dritën Zonjës por shpirti i saj do mbetet me plagë. Kulmi i saj kurrë s’do t’i ketë më 1200 pishat e gdhendura në shekullin e 13-të nga dorë mjeshtri që shekulli ynë nuk njeh.

Çfarë errësire në zemër të dritës!