15:24 / E Mërkurë, 12 Gusht 2020 / C E

Sot, në ditën e rinisë, shpresat e të rinjëve janë në fund të humnerës!

Shkruan: Kushtrim Reshiti

Janë në numër të madh ata të rinj që kanë synim të ikin nga Kosova (98%), me arsyetimin se nuk ka shëndetësi, nuk ka arsim, nuk ka ekonomi, nuk ka mirëqënie, nuk ka punë, e ka edhe nga ata që thonë se këtu nuk ka as jetë.

Por, në këtë vend me numrin më të madh të të rinjëve në Evropë, a duhet që të dënohet dikush për “mbytje” të rinisë? Apo duhet që për shkaktarët, të jepet burgim i përjetshëm, ashtu siç e “burgosën” rininë e këtij vendi, duke e lënë pa asnjë fije shpresë se do të bëhet mirë? Apo duhet që ata përgjegjës të jetojnë akoma në liri dhe në luks, derisa populli po jeton në “robëri” dhe në varfëri të skajshme?

Po pra, as nuk duhet të dënohet dikush, e as nuk duhet që të burgoset, por do t’i lëmë të jetojnë “të lirë”, në vendin që “ndërtuan” për fëmijët e tyre, e ne do të ikim sa më larg nga ky vend, për të gjetur një vend ku mund të marrim frymë lirshëm, e që nuk na cënohet “e drejta e frymëmarrjes”.

Por, akoma nuk e kuptoj, se si ka mundësi, që fëmijët e atyre që sollën lirinë e këtij vendi, sot mundohen që “lirinë e vërtetë” ta gjejnë jashtë kufijve etnik, sepse janë shpresëkëputur, e ndoshta edhe të frustruar që po shkelet mbi gjakun e prindërve të tyre?!

Gjithashtu, dua ta di a ka ndodhur në ndonjë vend të botës, që të dëbohet pushtuesi dhe ai vend “të ripushtohet” nga disa individë që pretendojnë se “e çliruan vendin dhe se vendi u takon atyre”?! (Unë akoma nuk kam dëgjuar)

Andaj, Zoti e bëftë mirë, se përndryshe, vendi me më së shumti rini në Evropë, do të ngelet si vendi me moshën më të lartë, jo në Evropë, por në Botë.