17:47 / E Mërkurë, 12 Korrik 2023 / Gj. Sh

Spalletti e ngre në qiell Osimhen, tregon sa kushton

Luciano Spalletti është rikthyer të flasë për Napolin, skuadër me të cilën dominoi Serie A sezonin e kaluar. Dhe të cilën e udhëhoqi drejt titullit të tretë në historinë e klubit.

Në jugun e Italisë vazhdojnë të festojnë fitimin e trofeut që mungonte prej 30 vitesh. Ndërkohë që ish-trajneri, u ndal te Rudi Garcia, pasardhësi i tij në stolin e Napolit.

Dhe Victor Osimhen, “bomberi” i kampionëve të Italisë. I cili u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit në edicionin e kaluar me 26 gola.

“Vendosa të pushoj për t’iu përkushtuar më shumë familjes. Kjo zgjedhje ndikoi që të merrja vendimin e pakënaqshëm për t’u larguar nga një skuadër e fortë si Napoli.

Dhe nga një ambient i dashuruar pas futbollit. Klubi ka bërë një punë të shkëlqyer. Unë kam vetëm një këshillë për ta: lëreni Garcian të punojë në paqe. Për të mirën e Napolit. Pasi francezi ka një eksperiencë të madhe.

Osimhen? Ndoshta 200 milionë euro janë pak. Nuk mjaftojnë për të siguruar blerjen e një futbollisti të tillë”, u shpreh trajneri italian në lidhje me 24-vjeçarin nigerian.