16:24 / E Mërkurë, 11 Korrik 2018 / indeksADMonline

Stafi i KQZ-së kërkojnë rritjen e pagave, i shkruajnë shefes së tyre

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka dhe shefi i Sekretariatit të KQZ-së Enis Halimi kanë marrë një kërkesë të rrallë nga punëtorët e këtij institucioni.

Stafi që organizon zgjedhjet në vendin tonë kanë vendosur t’i kërkojnë mbështetje kryetares së KQZ-së dhe shefit të SKQZ-së tani kur pritet që projektligji për pagat të dalë në komisione kuvendore.

Përmes shkresës së dërguar, punëtorët e KQZ-së kanë kërkuar nga Daka dhe Halimi që Ministrisë së Financave dhe Komisionit për Buxhet dhe Financa t’i dërgohet Rregullorja e Brendshme e KQZ-së e cila duhet të shërbejë si bazë për pagat e nëpunësve civilë të SKQZ-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me datë 7 gusht 2017 kishte miratuar Rregulloren 01/2017 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Sekretariatin e KQZ-së përmes së cilës ishte synuar që të rregullohej çështja e pagave dhe të nivelizohej me institucionet tjera të pavarura me Kushtetutë. Nxjerrja e Rregullores në fjalë i kishte ndodhur pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO73/2017.

Në këtë aktgjykim, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se “Qarkorja Administrative nr. 01/2016 për Klasifikimin e Vendeve të Punës dhe Katalogun e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil, e nxjerrë nga Ministria e Administratës Publike, në tërësi cenon pavarësinë e institucioneve të pavarura të parapara me Kushtetutë, dhe është jokushtetuesë në raport me ato institucione të pavarura.”

Nuk dihet se cilët do të jenë hapat e radhës të stafit të KQZ-së të cilët në shkresën e tyre kanë përmendur se “tani e disa vite, janë duke u diskriminuar në paga në krahasim me nëpunësit e Institucioneve të Pavarura Kushtetuese nga e njëjta kategori kushtetuese.”