13:11 / E Premte, 02 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Strategjia e KE-së për Ballkanin, deklarohet qeveria Haradinaj

Kanë mbetur edhe pak ditë deri  kur pritet Komisioni Evropian të paraqesë një strategji për Ballkanin.

Pikërisht në muajin prill, Komisioni Evropian do të bëjë publik Raportin e Zgjerimit dhe Stabilizim-Asociimit, i cili më pas do të analizohet nga Këshilli.

E në mesin e vendeve të pakta që presin për zgjerim është edhe Kosova, për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane.

Ndërkohë nga raportimi i disa mediave është theksuar se Spanja ka marrë vendim që edhe në këtë pikë të tregojë kundërshtimin që ka për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm.

Sipas këtyre raportimeve, Spanja kundërshton përdorimin e termit ËB6 (Shkurtesë për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor).

Sipas kësaj, Spanja beson se është e nevojshme të krijohet një dallim i qartë ndërmjet procesit të zgjerimit, i cili ka orarin e vet, procedurat dhe objektivat dhe strategjinë politike për Ballkanin Perëndimor,që përfshihen në fushën e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së Përbashkët.

Lidhur me gjithë këtë, Indeksonline ka kontaktuar Qeverinë e Kosovës të cilët kanë bërë të ditur se ende nuk kanë marrë një dokumentacion të tillë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ende nuk e ka marrë një dokument zyrtar apo strategjinë të cilën ju po e përmendni”,është thënë në një përgjigje nga Zyra e Informimit të Qeverisë së Kosovës.

Gjithashtu sipas tyre në këtë kontekst ende nuk mund të deklarohen për këtë çështje pas pasur informacionin e duhur.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ditë më parë ka deklaruar se kanë mbetur edhe pak ditë deri te publikimi i Strategjisë së Zgjerimit të Komisionit Evropian për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor teksa ka thënë se është një mundësi historike që edhe Kosova të përfshihet denjësisht në këtë strategji dhe se qytetarë e Kosovës të kenë qartësi për hapat e radhës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Ndryshe, Brukseli është duke ecur përpara me planet për të zgjeruar unionin duke vendosur një datë për hyrjen e  disa vendeve të Ballkanit dhe se janë të gatshëm të bien dakord për një afat kohor 2025, për fillimin e procesit që Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Bosnja-Hercegovina, të bashkohen me bllokun./Indeksonline/