22:00 / E Enjte, 17 Maj 2018 / indeksADMonline

Studentët përfitojnë dy bursa në Prishtinë? – Deklarohet Komuna!

Komuna e Prishtinës,  përkatësisht Drejtoria e Arsimit, me datë 10.05.2018  ka shpallur rezultatet e konkursit te bursave komunale për studentët të cilët  janë të regjistruar si  banorë të Prishtinës.

Mirëpo, ndarja e këtyre bursave po del që nuk ka qenë e drejtë. Të paktën, jo në pajtim me kushtet dhe kriteret të cilat i kërkon Komuna për të qenë fitues i bursës.

Indeksonline mëson se disa studentë që kanë fituar bursën e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, janë fitues edhe te bursës komunale.

Në një përgjigje për “Indeksonline”, Zyra për Komunikim me Publikun e Komunës së Prishtinës ka treguar kriteret e përgjithshëm respektivisht ato të veçantat për fitimin e bursës.

“Kriteret e përgjithshme: –Të kenë regjistruar vitin akademik për të cilin jepet Bursa;, Të mos jetë shfrytëzues të ndonjë burse tjetër ose të jenë të punësuar; Të mos jetë përsëritës i vitit akademik; Të paraqesin dëshmi për gjendjen ekonomiko-sociale të familjes; Studentët që janë regjistruar për herë të parë në fakultete, duhet të kenë dëshminë e suksesit të shkollës së mesme.

Kriteret e veçanta: Nota mesatare mbi 9 = 30 pikë; Nota mesatare mbi 8 = 20 pikë; Nota mesatare mbi 7 =15 pikë; Studentët në asistencë sociale = 20 pikë; Studentët që studiojnë në lëndët deficitare vlerësohen me 15 pikë; Ai/ajo, që studion së bashku me një anëtar tjetër nga e njëjta familje vlerësohet me 10 pikë; Ai/ajo, që nuk i ka prindërit në jetë, vlerësohet me 10 pikë; Studentët me nevoja të veçanta vlerësohet me 10 pikë”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Mirëpo, në listat që ka siguruar “Indeksonline”,  shihet se ka studentë të Fakultetit Juridik që i kanë fituar dy (2) bursa në të njëjtën kohë edhe atë  Publike, pra të UP-së, por edhe atë të komunës, siç edhe shihen në linkat më poshtë.

1: Studentët përfitues të bursës shtetërore – Fakulteti Juridik:

2: Rezultatet që ka shpallur Komuna e Prishtinës për ndarjen e bursave:

Lidhur me këtë çështje, “Indeksonline”,ka pyetur Komunën se a kanë të drejtë studentët të jenë përfitues të të dyja bursave njëkohësisht. Këta të fundit, kanë thënë se sipas kritereve të lartë cekura studentët të cilët janë përfitues të bursës shtetërorë të UP-së, nuk gëzojnë të drejtën e shfrytëzimit të bursës Komunale.

“Sipas konkursit për bursa Komunale janë përfitues gjithsej 120 bursistë, ndërsa sipas dokumentacionit që ne posedojmë dhe listave të përfituesve nga bursat shtetërore të UP-së nuk kemi kandidat të tillë. Nëse vërtetohet se ka përfitues edhe të bursës nga UP-ja dhe bursa Komunale atëherë komisioni për shqyrtimin e ankesave nuk do ta egzekuton pagesën e bursës”, thuhet në fund të përgjigjes së Komunës./Indeksonline/