11:46 / E Diele, 08 Prill 2018 / indeksADMonline

Sulmet me armë kimike, reagon Departamenti Amerikan i Shtetit

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert lidhur me sulmin me armë kimike me përmbajtje të gazit helmues nga regjimi i Asadit në Duma të Sirisë, ka shprehur se “Nëse vërtetohen këto lajme të tmerrshme, atëherë kjo sjellë nevojën e një përgjigjeje urgjente nga komuniteti ndërkombëtar”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nauert ka dhënë një deklaratë me shkrim në lidhje me sulmin me armë kimike me përmbajtje të gazit helmues nga regjimi i Bashar al Asadit në qarkun Duma të Gutës Lindore, nën rrethimin e regjimit.

“Jemi duke ndjekur nga afër situatën se më 7 prill përsëri janë përdorur armë kimike. Nëse vërtetohen këto lajme të tmerrshme, atëherë kjo sjellë nevojën e një përgjigjeje urgjente nga komuniteti ndërkombëtar”, thotë Nauert.

Duke thënë se SHBA-të do të vazhdojnë aktivitetet për t’i mbajtur si përgjegjës ata të cilët përdorin armë kimike në Siri, Nauert ka vënë në dukje se regjimi i Asadit në Siri edhe më parë ka përdorur armë kimike ndaj popullit të vet.

“Regjimi i Asadit dhe përkrahësit e tij duhet të mbajnë menjëherë përgjegjësi në mënyrë që të mos përsëriten sulmet e ngjashme. Rusia me këtë mbështetje të pafund të ofruar për regjimin është aksionar i këtyre sulmeve, të përdorimit të armëve kimike ndaj popullit të pashpresë të Sirisë dhe të marrjes në objektiv të civilëve. Rusia nuk ka arritur t’i përmbushë garancitë e dhëna si garantues i Kombeve të Bashkuara për të mbrojtur Sirinë. Rusia ka tradhtuar Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Konventën e Armëve Kimike”, tha Nauert.

Ajo thekson se SHBA bën thirrje për përfundimin sa më parë të mbështetjes së plotë të Rusisë ndaj regjimit të Asadit.

Sipas informacioneve të ndara në rrjetet sociale nga Ekipet e Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha) në Gutën Lindore, në sulmin me armë kimike të regjimit të Asadit ndaj vendbanimeve civile në qarkun Duma, e cila është pika e fundit nën kontrollin e opozitarëve në Gutën Lindore, 40 civilë kanë humbur jetën ndërsa qindra të tjerë janë prekur nga gazi.